Deputeti i VV-së: Ka deputetë patriot nga opozita që po duan zgjidhje

08:01 | 03 Maj 2025
deputeti-i-vv-se:-ka-deputete-patriot-nga-opozita-qe-po-duan-zgjidhje


Pas propozimit të kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që votimi për kryetarin e ri të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe jo të hapur siç ishte deri tani, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka folur për FrontOnline duke e akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve dhe duke mbrojtur propozimin si një hap drejt zgjidhjes së situatës aktuale.

“Në kemi propozuar që të ketë votim të fshehtë për të zhbllokuar situatën pas disa tentimeve, që e lejon edhe Kushtetuta”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se opozita nuk ka treguar vullnet për bashkëpunim, përkundrazi, po e pengon procesin.

“Opozita e tha se nuk ka të drejtë të ndryshohet qasja e votimit, dhe paska të drejtë të ndryshohet emri i kandidatit. Opozita është duke i bllokuar institucionet,” tha ai.

Thaçi kritikoi mënyrën se si po veprojnë subjektet opozitare, duke theksuar se nuk kanë pritur as emrin e kandidatit të propozuar për kryetar, çka sipas tij dëshmon mungesë të vullnetit për zgjidhje.

“Me këtë qasje të opozitës shumë mirë se ata as nuk e pritën as emrin e propozuar për kryetar, a ishte Haxhiu apo dikush tjetër. Ata kanë përçarje brenda grupeve parlamentare të tyre,” deklaroi deputeti i VV-së.

Megjithatë, ai shprehu bindjen se ka deputetë të arsyeshëm edhe në radhët e opozitës, të cilët janë të gatshëm të veprojnë në interes të vendit.

“Jo të gjithë në LDK dhe PDK janë si liderët e tyre, sepse ka njerëz aty që i thirren arsyes për të zhbllokuar situatën. Unë besoj se ka deputetë të arsyeshëm në gjitha subjektet politike, që nuk lidhen me inate. Ka deputetë patriotë nga opozita që nuk e shohin Kosovën vetëm për përfitime personale.” tha Thaçi.

Komento: