Deputetja e LDK-së kërkon reflektim nga partitë për zhbllokimin e Kuvendit

20:31 | 14 Maj 2025
deputetja-e-ldk-se-kerkon-reflektim-nga-partite-per-zhbllokimin-e-kuvendit

Deputetja e sapozgjedhur e LDK-së, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka bërë thirrje për reflektim nga subjektet politike dhe për bashkëpunim për të zhbllokuar Kuvendin e Kosovës, pas 15 seancave të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Në një reagim publik, Kabashi-Muçaj tha se subjektet politike duhet të reflektojnë. “Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit”, theksoi deputetja. Ajo kërkoi që ky proces të mos mbetet më peng i politizimit dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në demokraci.

Deputetja e LDK-së u shpreh se kur institucionet e shtetit ngujohen në heshtje dhe bllokadë, “zëri i ndërgjegjes duhet të dëgjohet.”

Ajo theksoi se kjo gjendje është e paprecedentë dhe e padrejtë, duke shtuar se përgjegjësia për zhbllokimin institucional është e përbashkët për të gjithë deputetët. “Përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim,” tha Kabashi-Muçaj.

Kabashi-Muçaj theksoi se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe përfaqësues që veprojnë, jo që heshtin. Ajo i bëri thirrje klasës politike që të mos zhgënjejnë qytetarët me mosveprim dhe të përmbushin detyrat e tyre ligjore dhe morale.

“Zgjidhja është në duart tona. Të mos e zhgënjejmë më shumë popullin që na ka besuar,” tha mes tjerash deputetja e LDK-së.

Komento: