Kosova ka pësuar një tjetër dështim në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, pasi aplikimi i saj nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave as këtë vit.
Dështimi për të hyrë në agjendë vjen pikërisht një vit pasi një situate të ngjashme ndodhi edhe në majin e kaluar, kur pavarësisht rekomandimit pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, çështja mbeti pezull për shkak të mungesës së konsensusit mes shteteve anëtare.
Këtë vit, pritej që Komiteti i Ministrave të shprehej për kërkesën e Kosovës pas raportit të favorshëm të miratuar nga Asambleja në prill, mirëpo mungesa e përparimit në disa çështje të ndjeshme politike, përfshirë të drejtat e komunitetit serb dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka ndikuar dukshëm në qëndrimet e disa vendeve kyçe evropiane.
Kjo situatë po e bën gjithnjë e më të paqartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, derisa ‘fatura’ e dështimit po i shkon qeverisë në së Albin Kurtit, ku njohësit e çështjeve diplomatike po e fajësojnë për paaftësi politike në aspektin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar për medie se të gjitha standardet dhe kriteret janë plotësuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Pavarësisht kësaj anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk ka qenë pjesë e agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave, që është mbajtur më 13-14.05.2025, në Luksemburg.
“Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022 dhe në shtator të po atij viti Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha Opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sikurse çdo shtet tjetër evropian.” – ka përkujtuar Ahmeti.
Tutje, ai ka thënë se në prill të vitit 2023 Komiteti i Ministrave me mbi 2/3 ka pranuar aplikimin dhe ka përcjell Kërkesën për Opinion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Asambleja ka shqyrtuar përmbushjen e standardeve në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit për një vjet, kjo për të hartuar Opinionin nëse Kosova i ka plotësuar kushtet.
“Në nëntor të vitit 2023 Juristët Eminent publikuan Raportin e tyre, ku një ndër përfundimet kryesore ishte se legjislacioni i Republikës së Kosovës është në nivelin e standardeve ndërkombëtare, madje, në disa fusha, siç janë të drejtat e pakicave, shkon përtej tyre.” – ka shkruar Ahmeti.
“Procesi është delikat” – Haliti shpjegon pse Kosova dështoi sërish në KiE
Ish-kryetari i delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së, ka folur për “Front Online” lidhur me dështimin e radhës të Kosovës për të hyrë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate.
Sipas Halitit, procesi i anëtarësimit në KiE është i ndërlikuar dhe varet nga gatishmëria e vendeve anëtare për të mbështetur kërkesën.
“Procesi është i varur shumë nga gatishmëria e gjitha vendeve që votojnë ose mbështesin kërkesën e një vendi. Para se me bërë kërkesën, më është thënë se ju mund të bëni kërkesë, por procesi është delikat dhe për të bërë kërkesën dhe për t’u bërë anëtar duhet të diskutojmë bashkë me mekanizmat drejtues që e fusin në rend dite këtë çështje dhe futja në rend dite, gatishmëria mund të jetë e plotë, pasi është diskutuar, është siguruar numri i votave në byro dhe asamble, dhe në delegacionet që janë multi-partiake dhe multi-ideologjike, janë çështje pa të cilat nuk mundet me ec përpara askush”.
Haliti tha se çështja kryesore që ka penguar përparimin është perceptimi se në Kosovë ka shkelje të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, gjë që ka sjellë edhe masa sanksionuese ndaj vendit.
“Duhet punë shumë për të arritur ku duam. Çështja kryesore që nuk është futur në diskutim Kosova, është konstatimi se në Kosovë shkelën drejtat e komuniteteve, që nuk trajtohen si të tillë dhe për shkak të saj, Kosovës i janë vënë sanksione”, shprehet Haliti.
Deputetja e AAK-së: Qeveria s’u angazhua, prandaj Kosova dështoi në KiE
Deputetja e AAK-së dhe ish-anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, dështimin e Kosovës për t’u futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, e ka cilësuar si pasojë të mungesës së angazhimit nga ana e Qeverisë Kurti.
Sipas saj, qasja e kësaj Qeverie ka qenë e parashikueshme dhe e paaftë për t’i çuar përpara proceset integruese.
“S’ka pasur sukses sepse nuk ka pas angazhim të qeverisë dhe ne jemi nën sanksione nga BE, përderisa nuk kemi lobuar tek vendet anëtare që të përfshihemi në agjendë dhe qasja e kësaj qeverie ka qenë e pritshme që do mbetemi larg këtyre agjendave kjo qeveri e ka stopuar agjendën evropiane”, shprehet Kadrijaj për “Front Online”.
Ish-diplomati: Me VV-në në Qeveri, Kosova mbetet jashtë organizatave ndërkombëtare
Ish-diplomati Avni Arifi në një prononcim për “Front Online” ka reaguar ashpër pas dështimit të Kosovës për t’u futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke fajësuar drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen “Vetëvendosje”.
Sipas tij, qasja e VV-së po e izolon vendin dhe po e pengon në skenën ndërkombëtare.
“Përgjigja quhet Albin Kurti dhe VV. Sa ta udhëheq me Kosovën Albin Kurti dhe VV as nuk do të ketë zhvillim as anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Tingëllon brutale kjo por ky është realiteti me të cilin qytetarët e Kosovës duhet të përballen”, deklaroi Arifi.
Ish- zv.ministri i Jashtëm: Dështimi në KiE, pasojë e paaftësisë diplomatike të Qeverisë Kurti
Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, është deklaruar për “Front Online” pas dështimit të Kosovës për t’u përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke e cilësuar këtë si një humbje të thellë dhe pasojë të paaftësisë diplomatike të Qeverisë Kurti.
“Dështimi i Kosovës për tu përfshirë edhe këtë vit në agjendë është një humbje e thellë për vendin dhe pasojë e paaftësisë diplomatike të Qeverisë Kurti. Partnerët tanë kryesorë evropianë kërkuan që draft-statuti për Asociacionin të dërgohej në Kushtetuese ky ishte një hap që duhej ndërmarrë në mënyrë strategjike për hir të interesit shtetëror por qeveria refuzoi duke sakrifikuar të ardhmen evropiane për kalkulime politike të brendshme”, deklaroi Demaj.
Ai shtoi se qeveria aktuale jo vetëm që nuk ka arritur përparim në rrugën e integrimeve, por po izolon gjithnjë e më shumë vendin.
“Kjo qeveri jo vetëm që nuk ka avancuar në rrugën e integrimeve por po izolohet gjithnjë e më shumë por ky është dëm i drejtpërdrejtë për institucionet dhe qytetarët e vendit”, potencoi ai.
Njohësi i integrimeve evropiane: Qeveria gaboi që në fillim me strategjinë për KiE
Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, ka deklaruar për “Front Online” se orientimi diplomatik i Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë i gabuar që në fillim.
Sipas Arifit, qeveria ka ofruar më shumë sesa duhej dhe ka dështuar në ndërtimin e një strategjie efektive për të siguruar mbështetje nga partnerët strategjikë.
“Orientimi i qeverisë ka qenë i gabuar në formën se si ka ndarë të bëhen anëtarë në KiE, kanë ofruar shumë më shumë se sa që mund të merrnim, partnerët strategjik kërkuan nga Kosova një gjë që nuk do duhej të ishte si kriter për tu bërë anëtarë në Këshillë të Evropës dhe këtu qeveria ka gabuar hapat diplomatik që i ka ndërmarr në atë kohë dhe kanë mbet kërkesat e vitit të kaluar”, deklaroi Arifi.
Arifi shprehet se dy kushte kryesore janë të përmendura nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kushtet kryesore për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishin zbatimi i vendimit të Kushtetueses për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, përfundoi Arifi.
Më 16 prill të 2024-tes, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.