Dështon për të 15-tën herë konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në tentimin e 15-të.
Sikurse në disa nga seancat e fundit, edhe në këtë Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces.
Për kanë votuar 56 deputetë, një kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca e radhës është caktuar për të enjten në orën 10:30.
Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje. Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.
Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet, nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.