Dhomat e Specializuara shprehin keqardhje për anulimin e konferencës së Trendafilovës

18:06 | 13 Maj 2025
dhomat-e-specializuara-shprehin-keqardhje-per-anulimin-e-konferences-se-trendafiloves

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shprehur keqardhje për anulimin, sipas tyre, të detyruar të konferencës për shtyp të planifikuar sot me gazetarë të kryetares Ekaterina Trendafilova.

Në reagim thuhet se pasi gjykimet mbahen jashtë Kosovës, Dhomat e Specializuara dhe kryetarja Trendafilova kanë synim të mbajnë vazhdimisht të informuar publikun në Kosovë në lidhje me proceset gjyqësore në Hagë për informacion të përditësuar, objektiv dhe transparent.

“Ky ishte qëllimi i vizitës së Kryetare Trendafilovës në Kosovë këtë javë dhe gjithashtu i takimeve me gazetarët në Kosovë si takimi që ishte planifikuar sot, ku mediat mund të bëjnë pyetje dhe dëgjojnë përgjigje nga gjykata”.

“Nuk ishte e mundur që veprimtaria të mbahej sot për shkak të protestave të veteranëve dhe të tjerëve ku u hodhën bomba tymuese që u bënë për të penguar mbajtjen e takimit. Duke njohur të drejtën demokratike për protestë paqësore, DHSK-ja shpreh keqardhjen që në situatën e sotme gazetarët u penguan që t’i bënin pyetje vetë Kryetares së Gjykatës”, thuhet në reagim.

Tutje, Dhomat e Specializuara thanë se mbeten të angazhuara për informimin në mënyrë transparente të publikut dhe gazetarëve në Kosovë në lidhje me ecurinë e proceseve gjyqësore në Hagë.

Konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, u anulua sot pas reagimit të veteranëve të UÇK-së.

Komento: