Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj ekzaminerit Ekrem Latifi dhe instruktores Ardita Balaj, të cilët u ndaluan më 19 maj nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Ekrem Latifi më 16 maj u lirua nga akuza në rastin ku akuzohej për dhënie ryshfeti.
Me këto veprime, Latifi dhe Balaj dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas Prokurorisë, më 27 mars 2025 është pranuar kërkesa për masa të veçanta hetimore nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit -DHKEK në Prishtinë, dhe në po të njëjtën ditë është lëshuar urdhëresa për zbatimin e masave të veçanta hetimore dhe është kërkuar nga Gjykata aprovimin retroaktiv të tyre, të cilat u aprovuan me urdhëresën e 28 marsit 2025.
Masat e veçanta hetimore janë lëshuar për periudhën 60 ditore- deri më 25 maj. Kurse, më 16 maj ishte kërkuar nga Gjykata lëshimi i masës së veçantë hetimore- dhënia dhe marrja e simuluar e ryshfetit, e cila kërkesë u pranua po atë ditë.
Aty thuhet se pas zbatimit të këtyre masave, rezulton dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.
Andaj, më 19 maj Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurve dhe mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve.
Në arsyetimin e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thuhet se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase, siç janë: fakti që nëse të pandehurit lihen në liri mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale- ndikimin në të dëmtuarën apo përsëritjen e veprës, për shkak të peshës së veprës penale, mënyrës dhe rrethanave të kryerjes së saj dhe sjelljen e mëparshme (faktin që i pandehuri Latifi edhe më herët ka qenë i përfshirë në rast të ngjashëm).
Sipas Prokurorisë, të pandehurit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete nuk e kanë pasur parasysh se me këtë vepër penale shkaktojnë një pasojë më të madhe shoqërisë, pra specifikisht duke rrezikuar jetën e qytetarëve në komunikacion.
“Pastaj për shkak të mënyrës dhe rrethanave në të cilën është kryer vepra penale, duke pasur parasysh se të pandehurit këtë e kanë kryer me një koordinim paraprak mes vete fakte të cilat vërtetohen nga provat materiale të siguruara nga masat e veçanta hetimore-monitorimi i bisedave, vëzhgimi si dhe masa e simulimit, konkretisht të njëjti janë marrë vesh që shumën prej 200 euro ta ndajnë proporcionalisht mes vete me nga 100 euro, e të cilat para që janë përdorur nga Fondi i Policisë për realizim të masës, i janë gjetur dhe sekuestruar të pandehurës Ardita Balaj, ndërsa shumën tjetër prej 100 euro e njëjta ia ka dhënë të pandehurit Ekrem Latifi”, thuhet tutje në kërkesë.