Drejtori i Policisë takohet me Prattipatin: Diskutuan për rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjithë qytetarëve

17:36 | 21 Maj 2025
drejtori-i-policise-takohet-me-prattipatin:-diskutuan-per-rendesine-e-ruajtjes-se-besimit-te-te-gjithe-qytetareve

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka pritur në takim me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA’së në Kosovë, Anu Prattipati.

Policia njofton se Hoxha e Prattipati kanë diskutuar për cështje të sigurisë së përgjithshme në Kosovë.

“Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me situatën e sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe tema të ndryshme në interes të organizatës policore. Nga drejtori Hoxha, ndër të tjera u tha se Policia e Kosovës bazuar në detyrat, misionin dhe vizionin e saj, si një polici profesionale, po përmbush me sukses objektivat e saja strategjike, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shërbimit ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi.”

Hoxha dhe Prattipati kanë folur edhe për “rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjithë qytetarëve me qëllim që ata dhe komunitetet e tyre të mbahen të sigurta në mënyrë efektive”.

“Dy palët diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjithë qytetarëve me qëllim që ata dhe komunitetet e tyre të mbahen të sigurta në mënyrë efektive. Drejtori Hoxha shprehu gatishmërinë për të avancuar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.”

Komento: