Ngritja e Akademisë së Forcave Ajrore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po shihet si nevojë për ushtrinë e vendit në fazën e fundit të tranzicionit të Forcës së Republikës.
Ekspertët e aviacionit e konsiderojnë këtë projekt si shumë të rëndësishëm, pasi mund të ndihmojë në ngritjen e aftësive dhe përgatitjes profesionale të personelit të FSK-së.
Për drejtimin e tyre i domosdoshëm është personeli i forcave ajrore për pilotim. Ngritja e një akademie për aftësimin e pilotëve në këtë kohë, nga ekspertë të aviacionit po shihet e nevojshme. Ata thonë se efektiviteti operativ i ushtrisë do të ishte më i madh.
“Në vend të varësisë të pilotëve të trajnuar jashtë vendit , ne duhet ti krijojmë kapacitet brendshme që ta rrisim sigurinë kombëtare dhe pavarësisë operacionale të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Kosovës…”, tha për RTK Afrim Aziri, ekspert i aviacionit.
Megjithatë, ata që dikur e kanë udhëhequr Forcën e Sigurisë së Kosovës, thonë se një gjë e tillë tani për tani është e panevojshme.
“Është shumë e kushtueshme dhe e panevojshëm dhe ne ndoshta nuk do të kem nevojë që ndoshta çdo vit të shkollojmë pilot, ne shkollojmë fillimisht nëse i kemi tre helikopter i shkollojmë 6-12 pilot dhe kjo, nëse e llogarisim se sa kushton shkollimi i tyre, është shumë ma mirë që të kemi një marrëveshje me shtetet që kanë kapacitet shumë më të mëdhatë pilotëve”, tha Kadri Kastrati, ish-komandanti i FSK-së.
“Ne do te kemi kuadro të cilët do të ndihmojnë në përgatitjen dhe rifreskimin e njohurive të pilotëve. Mirëpo të gjitha marrëveshjet që kemi me vendet e NATO-s për edukimin në Akademitë e tyre ajrore që FSK-së ka për pilot”, tha Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes.
Ndërkohë, pas 18 vitesh Shqipëria ka nënshkruar një memorandum për ta rihapur Shkollën e Aviacionit në Vlorë që do të prodhojë pilotë ushtarakë dhe civilë.