Festa në shtetin e sanksionuar/ Masat dy vjeçare nga BE-ja, humbje qindra milionëshe për ekonominë

08:10 | 09 Maj 2025
festa-ne-shtetin-e-sanksionuar/-masat-dy-vjecare-nga-be-ja,-humbje-qindra-milioneshe-per-ekonomine

Sot Kosova feston Ditën e Evropës, por është shteti i vetëm në Ballkan dhe më gjerë e cila që dy vite është nën “sanksione” të Bashkimit Evropian.

Përpos dëmeve në aspektin politik, masat e BE-së vendit i kanë sjellë pasoja të mëdha edhe në aspektin ekonomik.

Masat ndëshkuese për Kosovën janë vendosur në qershor të vitit 2023, të cilat janë ende në fuqi përkundër deklaratave nga disa zyrtarë të BE-së se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen.

Përfaqësuesit e biznesit dhe ekonomistë thonë se kostoja financiare e këtyre masave për Kosovën arrinë shifra qindra milionëshe.

 

Rafuna: Kosova humbi 300 milionë euro për projekte kapitale për shkak të masave ndëshkuese të BE-së

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për “Front Online” se masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ekonominë e vendit.

Sipas tij, Kosova ka humbur mundësinë për t’i shfrytëzuar 300 milionë euro të destinuara për projekte kapitale, mjete që do të kishin ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik.

“Ne s’kemi mundur t’i shfrytëzojmë 300 milion euro që kanë qenë të destinuara për projekte kapitale. Mjetet të cilat do të kishin ndikuar në ekonominë tonë. Për shkak të masave ndëshkuese, Kosova u pamundësua të përfitoj dhe e dyta në kuptimin e imazhit nuk është imazh i mirë dhe nuk është motiv për investitorët që të investohet këtu kur ne jemi në masa sanksionuese”, u shpreh Rafuna.

 

Agim Shahini: Kosova ka humbur rreth 1 miliardë euro nga sanksionet e BE-së

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar për “Front Online” se Kosova ka pësuar humbje të mëdha financiare që nga sanksionimi nga Bashkimi Evropian.

Sipas raportit të AKB-së, humbjet financiare të shkaktuara nga këto sanksione arrijnë rreth 1 miliardë euro.

“Duke u bazuar nga një raport që AKB ka që nga dy vite që jemi të sanksionuar humbjet janë rreth 1 miliardë euro dhe këto mund të jetë më të mëdha për shkak të dëmtimit të imazhit të vendit”, tha ai.

Për vendosjen e masave sipas Shahinit, fajin e kanë institucionet e Kosovës.

“Evropa i ka vu sanksione Kosovës dhe për shkak të këtyre vuajmë në aspekt financiar, integrimit e  diplomacisë. Kosova mbetet një nga vendet e vetme me sanksione ekonomike, pionier i të gjitha shteteve në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor dhe për këtë fajtor janë institucionet”, shprehet Shahini.

 

Ish-kryenegociatori Arifi: Sanksionet e BE-së i kanë larguar investitorët nga Kosova

Ish-kryenegociatori i Kosovës, Avni Arifi, ka kritikuar masat që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës, duke thënë se vendi ka humbur mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie më të forta me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së.

Arifi tha për “Front Online” se Kosova do të duhej të kishte investuar më shumë në këtë drejtim, për të parandaluar vendosjen e sanksioneve.

“Kosova është dashtë që të investoj shumë më shumë në raportet me institucionet e BE dhe vendet anëtare. Rritja e komunikimit dhe zhvillimi i raporteve do ta bënte të pamundur vendosjen e sanksioneve. Marrëveshja e Bratislavës e nënshkruar nga Bislimi ka qene e panevojshme dhe tepër e dëmshme”, deklaroi Arifi.

Sipas Arifit, dëmet ekonomike nga këto masa arrijnë në rreth 700-800 milionë euro, dhe situata mund të përkeqësohet.

“Dëmet ekonomike vlerësohen në 700-800€ milion euro. Kosova dal nga dal po largohet nga harta e donatoreve, investitorëve dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Dëme qe edhe kur të hiqen masat është vështirë të riparohen”, shprehet Arifi.

 

Demaj: Kosova po e shënon Ditën e Evropës nën masa për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, ka thënë për “Front Online” se është për keqardhje që Kosova e feston Ditën e Evropës nën masa të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Është për keqardhje që Kosova e shënon këtë ditë nën masa të vendosura nga BE të cilat pasqyrojnë një periudhë tensioni dhe sfidash në marrëdhënie ndërmjet institucioneve dhe ndërkombëtarëve”, theksoi Demaj.

Ai paralajmëroi për ndikime të shumta ekonomike e politike. Sipas tij, kjo është pasojë e “kryeneçësisë” së Qeverisë Kurti ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.

“Ka munguar një qasje më e koordinuar me partnerët sidomos në tensionimit në veri, dialogu një diplomaci më produktive. Ndikimet ekonomike janë të shumëfishta nga reduktimi i pjesëmarrjes në programe të rëndësishme evropiane deri te dëmtimi i përcaktimit të Kosovës si partnere e besueshme dhe politike dhe kjo ka ndodhur nga kryeneçësia e qeverisë dhe Kurtit në raport me zhvillimet”, potencoi Demaj.

 

Ambasadori Dedaj: 9 Maji e gjen Kosovën të izoluar, pa Qeveri dhe pa miq ndërkombëtarë

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale politike dhe ndërkombëtare të Kosovës, duke e cilësuar periudhën pesëvjeçare të qeverisjes së Albin Kurtit, si më të rëndën për raportet me Bashkimin Evropian.

Kosova që nga para lufta nuk ka qenë më larg Evropës se sa gjatë regjimit pesëvjeçar të Kurtit, të Vjosa Osmanit dhe Donika Shchëarz. Futja e Kosovës nën sanksione ndërkombëtare krahas Rusisë dhe Bjellorusisë, është treguesi më skandaloz e demolimit, shkatërrimit dhe procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe të promovimit të vlerave Evropiane”, tha ai.

Dedaj vlerësoi për “Front Online” se kjo situatë ka shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe politike për vendin – duke përfshirë largimin e investitorëve të huaj, mungesën e ndihmave dhe izolimin diplomatik.

“Ky dështim i pariparueshëm nuk është vetëm dëm material dhe ekonomik, ku Kosova humb me qindra miliona ndihma dhe subvencione, largon kompanitë dhe investitorët e huaj, por ky është edhe një dem politik”, u shpreh ai.

Në përvjetorin e Ditës së Evropës, Dedaj tha se Kosova nuk ka arsye ta festojë këtë ditë nën një “qeverisje autoritare dhe antievropiane”.

“Kosova nuk ka pse ta shënoj dhe pse ta festoj 9 majin – Ditën e Evropës, me politikë, mentalitet dhe qeverisje autoritare antievropiane”, deklaroi Dedaj.

Komento: