‘Fshesë’ të Milani, shkarkon Massimiliano Allegrin dhe Igli Taren

By Ora Info May 25, 2026 2 min read

Milan ka zyrtarizuar një “spastrim” të madh në klub, duke konfirmuar shkarkimin e trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtorit sportiv Igli Tare.

Në të njëjtin komunikim, klubi njoftoi se janë ndarë edhe me CEO-n, Giorgio Furlani dhe drejtorin teknik Geoffrey Moncada.

Vendimi vjen pas dështimit të Milanit për ta siguruar një vend në Top 4 dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve. “Rossonerët” kishin nevojë vetëm për një pikë në xhiron e fundit të Serie A, por pavarësisht se kaluan në epërsi 1-0, u përmbysën dhe humbën 2-1 në shtëpi ndaj Cagliarit, në një ndeshje ku kundërshtari nuk kishte objektiva.

Në deklaratën e publikuar nga klubi, sezoni u cilësua si “dështim i qartë”, duke theksuar se objektivi i vendosur nga pronarët ishte rikthimi në Ligën e Kampionëve dhe ndërtimi i një baze për të fituar vazhdimisht në krye të Serie A.

“Për pjesën më të madhe të sezonit ishim në dy vendet e para dhe kishim mundësi reale për të garuar për titull. Por fundi i kampionatit ishte krejtësisht i papranueshëm krahasuar me atë çfarë kishim treguar më herët, ndërsa humbja e mbrëmshme e ktheu sezonin në një dështim të qartë”.

“Tani është koha për ndryshim dhe riorganizim të plotë të operacioneve sportive,” thuhet mes tjerash në deklaratë.

Allegri e mbyll sezonin me Milanin pas 42 ndeshjeve zyrtare, me bilanc 22 fitore, 10 barazime dhe 10 humbje.

Sipas raportimeve, pronari Gerry Cardinale do të nisë tani ndërtimin e një strukture të re, ndërsa në rol këshillues pritet të mbetet Zlatan Ibrahimovic. Milani ka paralajmëruar se emrat e rinj për postet drejtuese do të bëhen të ditur në ditët në vijim.

About the author

Ora Info

OraInfo publishes news, business, travel and technology stories focused on Kosovo and the wider region.