Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur së fundmi në Prishtinë.
Pas mesnate, saktësisht rreth orës 00:45, familjarët e një burri kanë denoncuar në polici se që nga 30 prilli, viktima është rrëmbyer nga persona të panjohur dhe nga ajo kohë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me të.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e kryeqytetit, Agron Borovci, ka thënë për Klankosova.tv, se sipas denoncimit, rrëmbyesit e pretenduar, përmes mesazheve të dërguara kanë kërkuar një shumë të caktuar të parave, në këmbim të mirëqenies së viktimës.
“Menjëherë pas denoncimit, specialist nga njësia e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara policore, rreth orës 13:00, është arritur të lokalizohet vendndodhja e viktimës së pretendua, mashkull, rreth 45 vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë”, tha Borovci
I njëjti është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se në fakt, ky burrë nuk ishte rrëmbyer.
Sipas policisë, personi në fjalë vetë kishte dërguar mesazhe kërcënuese drejt familjes me qëllim të sigurimit të një shume të caktuar parash për përfitime personale.
“Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndjekjen ligjore të personit në fjalë, për veprimet mashtruese dhe për shqetësimin e shkaktuar familjes dhe institucioneve ligjzbatuese. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese të cilat jo vetëm që keqpërdorin burimet institucionale, por edhe shkaktojnë panik të panevojshëm”, ka thënë më tutje Borovci