Gërvalla në Varshavë: Integrimi në BE i shteteve pro-perëndimore domosdoshmëri strategjike që forcon paqen dhe sigurinë në gjithë kontinentin tonë

18:16 | 08 Maj 2025
gervalla-ne-varshave:-integrimi-ne-be-i-shteteve-pro-perendimore-domosdoshmeri-strategjike-qe-forcon-paqen-dhe-sigurine-ne-gjithe-kontinentin-tone

Në Varshavë të Polonisë, me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski, si dhe në praninë e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, shteteve kandidate dhe me status kandidat potencial.

Në këtë kontekst të ri, ku arkitektura politike e Evropës po riformësohet, ky takim përfaqëson mundësinë për marrjen e vendimeve të guximshme dhe artikulimin e një vizioni të qartë për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe thellësisht demokratike.

Ministrja Gërvalla gjatë këtij takimi tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk shihet më si një projekt abstrakt politik, por si domosdoshmëri strategjike dhe përgjigje konkrete ndaj realiteteve të reja gjeopolitike, kërcënimeve dhe sfidave që rrezikojnë themelet e paqes dhe sigurisë në Evropë.

“Si shtet që ka ndërtuar institucione funksionale, ka forcuar sundimin e ligjit dhe ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave dhe vlerave evropiane, Kosova sjell në tryezë përvojën e një vendi që jo vetëm kërkon integrim, por edhe kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian”, tha Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi në këtë forum se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera pro-perëndimore të rajonit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri strategjike që forcon paqen dhe sigurinë në gjithë kontinentin tonë.

Në Varshavë, Republika e Kosovës riafirmoi pozicionin e saj si një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në gjithë kontinentin.

Komento: