Gërxhaliu: Moskonstituimi i Kuvendit po e dëmton Kosovën në mënyrë katastrofike ekonomikisht dhe po e ndalon integrimin evropian

08:53 | 20 Maj 2025
gerxhaliu:-moskonstituimi-i-kuvendit-po-e-demton-kosoven-ne-menyre-katastrofike-ekonomikisht-dhe-po-e-ndalon-integrimin-evropian


Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për FrontOnline ka paralajmëruar pasoja të rënda në shumë fusha si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit dhe mungesës së institucioneve funksionale në vend.

Mungesa e krijimit të institucioneve në parlament dhe qeveri, është duke e dëmtuar Kosovën në disa dimensione. Është shqetësues efekti negativ i mos krijimit të institucioneve në aspektin politik, katastrofik në aspektin ekonomik dhe stopues në proceset integruese,” deklaroi Gërxhaliu.

Ai e konsideroi të papranueshme që në një kohë me zhvillime të mëdha globale, Kosova të ngecë në formimin e institucioneve.

Në këtë dinamikë që po përcillen trendet globale, të eksperimentohet me themelimin e institucioneve është turp i madh,” u shpreh ai, duke shtuar se dëmi ekonomik është alarmant.

Sipas Gërxhaliut, një ndër pasojat më të rënda është pezullimi i qasjes në fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën, një zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe bllokimin e projekteve strategjike.

Vet fakti që është pezulluar qasja në fondet për Kosovën nga Bashkimi Evropian është e rëndë,” tha ai.

Në mungesë të një dialogu publiko-privat, po dëmtohen bizneset – shto këtu edhe shtrenjtimin e rrymës për bizneset,” theksoi Gërxhaliu për FrontOnline

Ai paralajmëroi se situata aktuale po rrezikon seriozisht të çojë në tkurrje të eksporteve, ikje të kapitalit dhe të prodhimit ‘Made in Kosovo’, përveç migrimit të qytetarëve.

Është rrezik për tkurrje të eksporteve dhe për ikje, jo vetëm të qytetarëve, jo vetëm të kapitalit, por edhe të prodhimit ‘Made in Kosovo’, dhe këto do të lënë gjurmë për Kosovën,” përfundoi Gërxhaliu për FrontOnline.

 

Komento: