Është lokalizuar dhe gjetur personi që ishte raportuar si i zhdukur një ditë më parë në komunën e Kllokotit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se gjetja e personit u bë falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Sot në orët e pasdites, personi i zhdukur është gjetur në një zonë pyjore në fshatin Kokaj, afër vijës kufitare Kosovë–Serbi. Menjëherë pas lokalizimit, ai është trajtuar nga ekipet mjekësore dhe gjendja e tij shëndetësore vlerësohet si stabile dhe e mirë,” tha Osmani.
Policia e Kosovës ka falënderuar të gjitha njësitë e angazhuara në operacion, si dhe qytetarët që ofruan informacione të vlefshme për gjetjen e tij.