Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj situatës alarmante me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, pas ndërprerjes së punës nga kompania publike “Pastrimi” për shkak të një borxhi prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna e Prishtinës.
Sveçla ka deklaruar për “Front Online” se kjo gjendje është pasojë e një procesi të kahershëm që synon falimentimin e “Pastrimit” dhe privatizimin e tregut të mbeturinave.
Ai ka akuzuar drejtuesit e ndërmarrjes për keqmenaxhim, ndërsa përgjegjësinë kryesore ia ka adresuar ekzekutivit të komunës.
“Ky është një epilog i pritur i një procesi që ka filluar moti që ka të bëjë me qëllimet për ta falimentuar ndërmarrjen “Pastrimi” dhe tregun e mbeturinave tua jap operatorëve privat. Një keqmenaxhim i vazhdueshëm i drejtuesve të ndërmarrjes “Pastrimi” që janë vonuar edhe pagat e punëtorëve kjo e ka pru punën që të jetë Prishtina me bërllok gjithandej , fajtorë janë të dy palët, faj më shumë ka ekzekutivi i qytetit se ata qeverisin”, shprehet ai.
Sveçla e ka cilësuar situatën si një fyerje për qytetarët dhe ka kërkuar urgjentisht veprim nga institucionet për të rikthyer normalitetin në kryeqytet.
“Janë përgjegjës për mirëqenien e qytetareve dhe rrezikojmë përhapjen e ndonjë epidemie nga grumbullimi i mbeturinave. Kjo paraqet rrezik për qytetarët e Prishtinës dhe kjo është fyerje për qytetarët”, deklaroi Sveçla.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi SH.A.” ka njoftuar se është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.
Në një njoftim zyrtar, KRM-ja deklaron se kjo po bëhet për shkak të mos pagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës, borxh ky që kap vlerën e 2.7 milionë eurove.
Kompania i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të veprojë urgjentisht në shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit.