Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka folur për situatën që është në vend tash e disa javë, pasi ende nuk janë formuar institucionet e reja pas përfundmit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se ngërçi në Kuvend është një shenjë e mirë e demokracisë.
“Jam absolutisht i sigurt që është më mirë ta keni këtë situatë që e keni tani në Kosovë se sa të kaloni nëpër zgjedhje nga të cilat të gjithë e dini se cili do të jetë rezultati. Mendoj se ngërçi krijuar në Kuvendin e Kosovës tregon se ju keni pasur zgjedhje demokratike dhe keni demokraci funksionale. Ne kemi parë diskutime të gjata dhe ngërçe në shumë vende evropiane, Belgjika nuk ka pasur Qeveri për 3 vjet, Italia është e njohur për negociatat e gjata, edhe Austria. Pra nuk është diçka e jashtëzakonshme, por vetëm një shenjë e mirë e demokracisë”.
“Por këshilla ime për kryeministrin Kurti dhe të gjitha palët është se procesi kryesor politik tani janë negociatat dhe kompromiset. Demokracia është art kompromisesh. Për të arritur qëllimet afatgjata tuajat politike, anëtarësimin në BE, duhet të bëni kompromise ndërmjet palëve politike, kjo është diçka nëpër të cilën Estonia ka kaluar për 30 vjet, andaj këshilla ime është qetësi, gjeni kompromise dhe vazhdoni përpara drejt Bashkimit Evropian, aty ku populli i Kosovës dëshiron të jetë. Po e përkrahi Kosovën sepse raportoj për Kosovën”, ka deklaruar Terras.