‘Hallakamë’ me udhëzimin e ri të Muratit, bizneset e reja pa arka fiskale – Abonimet nga gjithë Kosovë tash bëhen vetëm në Pejë, “Enternet” dhe “Service Global Eu” flasin për Veriu.info

16:33 | 23 Maj 2025
‘hallakame’-me-udhezimin-e-ri-te-muratit,-bizneset-e-reja-pa-arka-fiskale-–-abonimet-nga-gjithe-kosove-tash-behen-vetem-ne-peje,-“enternet”-dhe-“service-global-eu”-flasin-per-veriu.info

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati më 15 prill 2025, ka nxjerrë një udhëzim të ri administrative për arkat fiskale, më qëllim të krijimit të një sistemi të ri të tyre përmes një ‘sistemi digjital’, që nënkupton se arkat fiskale aktuale do të dalin nga funksioni pas krijimit të sistemit të ri (SEF). Më Udhëzimin Administrativ (MFPT) Nr. 01/2025 ishte paraparë të krijohen softuerë elektronikë fiskal, por që të dispozitat kalimtare të tij në nenin 51 thuhet se tatimpaguesit që nuk janë pajisur me arka fiskale (PEF/SF) nga data e hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi, nuk janë të obliguar për t’u pajisur me to, por që brenda 60 ditëve (nga 15 prilli) duhet të instalojnë Softuer Elektronik Fiskal (SEF).

Mirëpo, kur kanë kaluar 38 ditë nga momenti i nënshkrimit të udhëzimit dhe për pasojë kanë mbetur vetëm edhe 22 ditë deri në përfundimin e periudhës tranzitore, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka ndërmarr asnjë veprim të për licencuar ofrues të Softuerëve Elektronike Fiskal, gjë që po krijon kaos në çështjen e menaxhimit të këtij procesi.

Veriu.info ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, për të kuptuar se a ka angazhuar kjo ministri ndonjë ofrues të licencuar për softuer elektronik fisnal (sistemi i ri digjital), por që nuk kemi marrë përgjigje as tri ditë pas pyetjeve të dërguara, sikurse që nuk kemi marr përgjigje as në pyetjen se ndalimi i shitjes së arkave fiskale gjatë periudhës tranzitore për bizneset e reja, a mund të nxisë evazion fiskal.

Pra, sipas udhëzimit të nënshkruar nga ministri Murati, asnjë biznes i ri që krijohet gjatë periudhës tranzitore, nuk ka obligim të pajiset me arka fiskale. (Lexo udhëzimin KËTU)

Veriu.info ka kontaktuar me dy prej kompanive të licencuara në tregun e Kosovës që ofrojnë arka fiskale “Enternet” Sh.P.K. dhe “Service Global Eu” Sh.P.K, të cilat

Nga “Enternet” kanë thënë për Veriu.info se pas nënshkrimit të udhëzimit administrativ që nuk i obligon bizneset pa arka fiskale dhe bizneset e reja të pajisen me to, kanë pasur rënie drastike të kërkesave për t’u pajisur me arka fiskale, me ç’rast kanë akuzuar Ministrinë së Financave, Punës dhe Transfereve për mos transparencë dhe mungesë të vizionit për këtë projekt.

Duke filluar nga data 16 Prill 2025, me publikimin e Udhëzimit të Ri Administrativ për shfrytëzimin e PEF/SF dhe SEF me numër 01/2025 në Gazetën Zyrtare, nga ana e Ministrisë së Financave, ne kemi hasur në një rënie drastike të kërkesave për të u pajisur me Pajisje Fiskale të reja. Krejt kjo është si rezultat i mungesës së transparencës, mungesës së një vizion të qartë për këtë projekt i cili edhe ka krijuar konfuzion tek bizneset, kompanitë e kontabilitetit dhe te gjitha palët e tjera të përfshira në këtëe projekt të madh”, thuhet në përgjigjen e “Enternet” për Veriu.info.

Të pyetur për arsyen e mbylljes së të gjitha pikave në Kosovë, duke e lënë të hapur vetëm një pikë në qytetin e Pejës, nga “Enternet” Sh.P.K. thonë se vendimi që rrjedh nga udhëzimi për mundësinë që u jepet bizneseve të reja për të mos pasur arka fiskale i ka prekur direkt në pjesën operacionale dhe financiare, duke shtuar se:  “Ky vendim na ka prekur neve direkt në pjesën operacionale dhe atë financiare duke e përfshirë edhe rrezikun e largimit te shumicës së punëtorëve nga pasiguria e krijuar me këtë vendim. Si rezultat i kësaj në ishim të detyruar që me paralajmerim paraprak zyrtar që duke filluar nga: Data 29 Prill 2025, të e bëjmë pezullimin e ofrimit të shërbimeve tona në qendrat (Prizren, Gjilan dhe Ferizaj), për një periudhë të pacaktuar! Duke e marrë parasysh që gjatë kësaj periudhe e kishim edhe një takim me zyrtarët e Departamentit te Arkave Fiskale, nga i cili nuk morëm asnjë përgjigje në pyetjet tona e as mirëkuptim për të gjetur një zgjidhje afatgjate ne u detyruam që gjatë periudhës nga 20 Maji të bëjmë pezullimin e ofrimit të shërbimeve në qendrat tjera”.

Të pyetur se ju kanë mbetur arka fiskale në depo si pasojë e nxjerrjes së këtij udhëzimi administrativ nga ministri Murati, nga “Enternet” kanë thënë: “Ashtu siç edhe është kërkesa e DAF-it, momentalisht te zyret tona ne kemi të grumbulluara stoqet me pajisjet fiskale të cilat e kapin vlerën mbi 2,5 milion euro. Në këtë moment që po flasim as ne si Operator Ekonomik e as DAF-i apo ATK-ja nuk kanë ndonjë propozim konkret se si do të vazhdojmë tutje. Pra, jemi në një situatë të mjegulluar dhe ne një terr total informativ. Për më shumë, edhe gjatë vitit të kaluar pas prezentimit publik të projetit të ri, ne kemi kërkuar mendim profesional apo këshillues nga zyrtarët e DAF, në të cilën nuk kemi pranuar asnjë informacion në lidhje me rrjedhat e mëtutjeshme! Për fat të keq, nuk kemi asnjë përgjigje, as sot kur po flasim për këtë çështje.

Edhe nga kompania “Service Global Eu” në një deklarim për Veriu.info kanë thënë se kanë ankesa për mënyrën e zbatimit të udhëzimit të nxjerrë nga Ministrisa e Financave, Punës dhe Transfereve, duke treguar se kanë rënie prej 60% në shitjen e arkave fiskale dhe rënie të interesimit për riabonim të pajisjeve fiskale ekzistuese.

Që nga hyrja në fuqi e udhëzimit në fjalë, kemi pranuar një numër të vogël kërkesash nga biznese të reja dhe ekzistuese për furnizim me arka fiskale. Në krahasim me periudhat e njëjta të vitit të kaluar, kemi shënuar një rënie prej rreth 60% të shitjeve të pajisjeve fiskale – si rezultat i publikimit dhe më pas nënshkrimit të Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025. Përveç rënies drastike të shitjeve, kemi vërejtur edhe një ulje të ndjeshme të interesimit për riabonim të pajisjeve fiskale nga bizneset ekzistuese. Vendimi për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit në pikat tjera ka ardhur si pasojë direkte e pasigurisë ligjore dhe ekonomike që ka krijuar faza tranzitore e udhëzimit të ri. Kufizimi i shitjes së arkave fiskale, së bashku me rënien e të hyrave nga abonimet dhe kontrollat teknike, ka bërë të paqëndrueshme financiarisht mbajtjen aktive të të gjitha pikave”, thonë nga “Service Global Eu” për Veriu.info, duke theksuar se megjithatë, e kanë funksionale pikën në Pejë për të garantuar qasje minimale për klientët tanë dhe për të përmbushur me përpikëri obligimet ligjore që na takojnë si operator i licencuar.

Sa i përket dispozitës kalimtare për ndalimin e shitjes së arkave fiskale gjatë fazës tranzitore, “Service Global Eu” thotë se mirëpret çdo përpjekje për modernizimin e sistemit fiskal dhe digjitalizimin e proceseve tatimore, por që konsiderojnë se periudha tranzitore është dashur të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të parashihte zgjidhje alternative për bizneset – sidomos për ato të reja.

Ndalimi total i instalimit të pajisjeve fiskale për bizneset e reja dhe ato ekzistuese të pafiskalizuara, përveç që përbën një shkelje të rëndë ligjore, ka krijuar një vakum funksional dhe pasiguri të theksuar në treg. Mendojmë se do të ishte shumë më e arsyeshme të lejohej një periudhë kalimtare me mbështetje teknike dhe informuese për të gjitha palët e përfshira”, thuhet në përgjigjen e “Service Global Eu” për Veriu.info.

Nga kjo kompani bëjnë të ditur se aktualisht kanë një sasi të arkave fiskale në depo, por që kanë edhe detyrime financiare ndaj furnitorëve si rezultat i planifikimit për furnizim gjatë vitit 2025 – planifikim ky i bazuar në marrëveshje kontraktuale dhe që përfshin mijëra pajisje.

Në dhjetëra komunikime me zyrtarë të ATK-së dhe Ministrisë së Financave dhe Transfereve, kemi kërkuar qartësi lidhur me furnizimin me pajisje fiskale. Në të gjitha rastet jemi njoftuar se duhet të kemi furnizim të pandërprerë, si obligim që rrjedh nga statusi ynë si OE i licencuar. Edhe sot, teksa po ju përgjigjemi, nuk kemi marrë ndonjë pergjigje zyrtare nga institucionet përkatëse që kërkon ndërprerjen e furnizimit me pajisje fiskale”, thuhet në fund të deklarimit nga “Service Global Eu” për Veriu.info.

Ndryshe, si pasojë e dispozitave kalimtare të këtij udhëzimi administrativ, tashmë “Enternet” Sh.P.K. dhe “Service Global Eu” Sh.P.K. funksionojnë vetëm me nga një filial në Kosove, të dyja këto kompani në qytetin e Pejës, ku për pasojë bizneseve që u skadon abonimi vjetor tashmë duhet të shkojnë nga qytetet tjera në Pejë për riabonimin e pajisjeve të tyre fiskale, gjë që ka ngjallur vështirësi operative te bizneset në gjithë Kosovën./Veriu.info

 

Komento: