Hamiti: Pasojat janë evidente kur vendi nuk ka Qeveri funksionale

19:26 | 19 Maj 2025
hamiti:-pasojat-jane-evidente-kur-vendi-nuk-ka-qeveri-funksionale


Ish-ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, për FrontOnline ka shprehur shqetësim të thellë për dëmet që po i shkaktohen Kosovës në arenën ndërkombëtare për shkak të ngërçit politik dhe moskonstituimit të Kuvendit. Sipas tij, pasojat janë të dukshme dhe prekin drejtpërdrejt interesat strategjike të vendit.

“Pasojat janë evidente kur vendi nuk ka Qeveri funksionale, sidomos kur Qeveria në detyrë nuk ka mbikëqyrje nga Kuvendi,” ka deklaruar Hamiti.

Ai ka rikujtuar se edhe në periudhën kur Kosova kishte institucione funksionale të drejtuara nga Vetëvendosje, vendi përjetoi përkeqësim të theksuar në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Para dy vitesh, për fajin e drejtuesve politikë të Kosovës, Kosovës iu vendosën sanksione të BE-së. Kemi humbur qindra milionë euro për projekte të BE-së deri tani. Pasojat po i vuajnë qytetarët, e jo Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti (tash deputeti Kurti), as zëvendëskryeministresha dhe ministresha e jashtme, tash deputetja Donika Gërvalla Schwarz,” u shpreh Hamiti.

Ai kritikoi ashpër retorikën dhe sjelljen e disa udhëheqësve politikë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke kujtuar se Donika Gërvalla e quajti BE-në “tigër prej letre” dhe Albin Kurti e cilësoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si “naiv”.

“Kjo e mbrama e quante BE-në “tigër prej letre”. Kurti e quante Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken “naiv”. Nën sanksione, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës është dëmtuar” theksoi ai për FrontOnline.

Hamiti gjithashtu vuri në dukje dështimet në procesin e integrimit ndërkombëtar, duke përmendur se Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës vitin e kaluar, dhe se edhe sivjet kjo çështje nuk pritet të hyjë as në rend të ditës.

Në fund, ai rikujtoi marrëveshjen e nënshkruar nga Kurti në Bruksel dhe Ohër me Serbinë, për të cilën tha se cenon sovranitetin e Kosovës dhe bie ndesh me Kushtetutën.

“Para dy vitesh, Kryeministri Albin Kurti ka pranuar në Bruksel dhe Ohër marrëveshje me Serbinë që parasheh ‘vetëmenaxhim të serbëve’ në Kosovë, praktikisht autonomi politiko-territoriale, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Më e keqja marrëveshje e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë,” përfundoi ai.

Komento: