Haradinaj me homazhe në nderim të heroit Bahri Fazliu: Ishte frymëzim për rininë shqiptare

12:52 | 07 Maj 2025
haradinaj-me-homazhe-ne-nderim-te-heroit-bahri-fazliu:-ishte-frymezim-per-rinine-shqiptare

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varrimi i heroit Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij, duke e cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të luftës për lirinë e Kosovës.

“Bahriu ishte njeri i pushkës dhe i penës, trim, guximtar e i vendosur deri në vetëmohim. Fitoi përjetësinë duke u bërë shembull frymëzimi për rininë shqiptare se si duhet dashur Atdheu dhe si sakrifikohet për të”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook

Ai ka kujtuar gjithashtu se më 7 maj të vitit 1999, në lagjen Çabrat të Gjakovës, heronjtë e Brigadës 137 “Gjakova” zhvilluan një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj gjithashtu ka kujtuar dëshmorët e rënë më 7 maj 1999 dhe 13 shqiptarët e vrarë te Ura e Taliqit në Gjakovë dhe në Ozdrim të Pejës.

“Në këtë ditë ranë heroikisht Gani Brahimaj nga Jabllanica, Françesko Xhyzepe Bider nga Biella e Italisë, Pjerë Arno Pajar nga Franca, Murad Muhamet Ali nga Algjeria, Nuhi Rrustem Berisha, Adnan Nexhmedin Krasniqi, Demush Isuf Lata, Demush Mavraj, Sinan Latif Berisha, Tomë Gjokaj, Hamdi Çetaj, Luan Krasniqi, Luan Smajli, Osman Tafa, Visar Juniku, Yllka Domi, Bujar Roka dhe Ahmet Xhikolli”.

“I dërrmuar nga humbjet në front, armiku u hakmor mbi civilët e pafajshëm. Në Gjakovë, te Ura e Taliqit, dhe në Ozdrim të Pejës, ku u ekzekutuan mizorisht 13 shqiptarë, një fshat që kishte qenë i përkushtuar ndaj lirisë që nga ditët e para të luftës.Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë, me të rënët për liri dhe me rrugëtimin tonë për liri!”, deklaroi ai.

Komento: