Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është më mirë të shkohet në zgjedhje nëse s’gjendet zgjidhja për të dalë nga bllokada në Kuvend, duke shtuar se s’është mirë që të vazhdohet të vonohet Kosova.
“Janë akumuluar shumë probleme në vend dhe është e dhimbshme, pra, që jeta jonë sikur se e shihni, është e orientuar te këto diskutimet kush, çka bëri. Nëse vërtet është kështu atëherë më mirë është të shkojmë në zgjedhje. Nuk është mirë të vonohet Kosova në pakufi”.
Haradinaj tha se në seancën e sotme në Kuvend ka folur me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Vazhdimisht diskutojmë me kryetarin Abdixhiku edhe për zhvillimin në Kuvend, disa herë e kemi trajtuar këtë çështje. Biseduam edhe për këtë propozimin për konsulta edhe e shpjegova që është ide e mirë me pasë konsulta, por kuptohet i kemi disa dallime në qëdrim, por nuk bën me i mbyllë dyert për iniciativa. Çdo iniciativë e ka dobinë e vet. Ne mbesim në qëndrimin që unë dhe Aleanca ta ndihmojmë qeverinë e opozitës. Ky është opsioni, por jemi të hapur për konsulta”.
Haradinaj tha se komunikim ka edhe me Memli Krasniqin e PDK-së, si dhe deputetët të opozitës.