Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor Kufitar në Jarinjë, njofton se ka ndërmarrë veprime të shpejta operative pas pranimit të një informate për tentim ryshfeti ndaj zyrtarëve policor.
Policia informon se i dyshuari është arrestuar pasi ka tentuar t’u ofrojë ryshfet zyrtarëve policor me qëllim të lejimit të hyrjes së paligjshme në Republikën e Kosovës të bashkëshortes së tij, duke anashkaluar procedurat dhe kriteret shtetërore në fuqi.
“Pas reagimit të menjëhershëm të Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Mitrovicë Veri, dhe nën udhëzimet e Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën “Dhënia e Ryshfetit”, sipas nenit 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë procedurës janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore përfshirë intervistimin e të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës dhe sekuestrimin e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.