Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësimin serioz dhe të bazuar lidhur me rrezikun real të humbjes së mjeteve financiare deri në 15 milionë euro nga fondet e Komisionit Evropian, të dedikuara për komunat e Republikës së Kosovës në kuadër të thirrjes IPA III “EU for Good Governance”.
Ky asociacion thotë se gjatë implementimit të projektit të Grantit të Performancës Komunale, donatorët ndërkombëtarë si EU, SDC, SIDA dhe Ambasada Norvegjeze kanë qenë kontribuuesit kyç përmes fondeve të tyre të drejtpërdrejta, që kanë sjellë përfitime të prekshme për qytetarët nëpër komuna, duke ndihmuar dhe përmirësuar shërbimet dhe rritur cilësinë e jetesës.
“Në bazë të informatave të siguruara nga AKK, rezulton se Komisioni Evropian ka refuzuar propozimin e dorëzuar nga MAPL, për shkak se ai nuk ka përmbushur standardet dhe kriteret e kërkuara nga BE dhe si pasojë komunat në vitet në vijim do humbin deri në 15 milionë euro”, tha Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i AKK-së.
Më tej ai shtoi se AKK, duke qenë partner kyç në zbatimin e projekteve me komunat dhe duke ndjekur me vëmendje këtë proces, ka kërkuar sqarime nga MAPL “mirëpo fatkeqësisht, deri më sot, MAPL nuk ka ofruar asnjë sqarim zyrtar, duke lënë komunat pa informim për një çështje me ndikim të madh në zhvillimin lokal”.
“Është krejtësisht e papranueshme që komunat e Republikës së Kosovës të penalizohen dhe të mbeten pa fonde jetike, vetëm për shkak të paaftësisë institucionale për të hartuar dhe dorëzuar një propozim serioz dhe në përputhje me standardet evropiane. Refuzimi nga Komisioni Evropian është një sinjal alarmi, jo vetëm për MAPL, por për tërë qeverisjen qendrore. Si AKK, ne nuk do të qëndrojmë të heshtur përballë këtij dështimi të rëndë. Kërkojmë llogaridhënie të menjëhershme, transparencë të plotë dhe një rishikim urgjent të mënyrës se si trajtohen interesat e komunave në raport me donatorët ndërkombëtarë. Komunat nuk mund të mbeten peng i papërgjegjshmërisë së dikujt që nuk përfaqëson interesin e tyre në mënyrë të denjë”, tha Ibrahimi.
Ai deklaroi se AKK-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat institucionalë për të mbrojtur të drejtën e komunave për të qenë përfituese të drejtpërdrejta të fondeve evropiane, “dhe për të siguruar që moskompetenca dhe mungesa e përfshirjes të mos dëmtojë më tej zhvillimin lokal në vend”.
Ibrahimi thekson se humbja e këtyre fondeve “përbën një dëm serioz duke rrezikuar vazhdimësinë e projekteve që kanë sjellë rezultate të drejtpërdrejta në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.