Ibrahimovic futet në lojë! Milani gati t’ia besojë stolin Oliver Glasnerit
AC Milan po vazhdon të punojë për ndërtimin e strukturës së re drejtuese dhe emri i trajnerit austriak Oliver Glasner mbetet ndër favoritët kryesorë për stolin kuqezi.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Milanit po vlerësojnë kombinimin ideal mes trajnerit, drejtorit sportiv dhe drejtorit teknik. Një rol kyç në këtë proces pritet të ketë Ralf Rangnick, i cili konsiderohet kandidati më i fortë për postin e drejtorit teknik.
Nëse gjermani merr detyrën, ai pritet të ketë ndikim të madh edhe në përzgjedhjen e trajnerit të ri. Pikërisht për këtë arsye, profili i Glasner vazhdon të vlerësohet lart nga drejtuesit milanezë.
Trajneri i Crystal Palace, i cili mbylli sezonin me sukses dhe siguroi pjesëmarrjen në UEFA Conference League, ka zhvilluar tashmë kontakte paraprake me Milanin. Tani që sezoni ka përfunduar, palët pritet të hyjnë në fazën vendimtare të negociatave.
Raporti shton se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim i ri mes Glasner dhe përfaqësuesve të Milanit, ku i pranishëm pritet të jetë edhe Zlatan Ibrahimović.
Gjatë takimit do të diskutohen projektet sportive, merkatoja, largimet dhe afrimet e mundshme, si dhe aspektet financiare të marrëveshjes. Glasner dhe stafi i tij po përgatisin një analizë të detajuar të skuadrës, e cila do t’i paraqitet klubit si pjesë e vizionit të tyre për të ardhmen.
Austriaku është i vetëdijshëm se Milani ka nevojë për një rindërtim të thellë dhe synon të paraqitet me ide të qarta për mënyrën se si mund të rikthejë ekipin në nivelet më të larta të futbollit italian dhe evropian. /ORAinfo/
