Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane (UBSHGJ), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) dhe me mbështetjen e projektit FEGO të Swisscontact, ka organizuar një turne vizitash në disa kompani të suksesshme shqiptare në Gjermani.
Ky aktivitet kishte për qëllim ndërlidhjen e kompanive prodhuese nga industria e drurit të Kosovës me biznese të afirmuara në tregun gjerman, me synim krijimin e bashkëpunimeve të reja për eksport dhe zgjerim tregu.
Delegacioni nga Kosova, i udhëhequr nga Kryetari i Degës së Unionit në Kosovë, Shkelzen Jusaj dhe Drejtorja Ekzekutive e SHPDK-së, znj. Arieta Vula Pozhegu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të Swisscontact, ka vizituar tri kompani të dalluara shqiptare që operojnë me sukses në Gjermani.
Gjatë këtyre vizitave, nikoqirët dhe mysafirët patën mundësinë të prezantojnë aktivitetet e tyre afariste dhe produktet që ofrojnë, si dhe të shkëmbejnë informata dhe kontakte të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin. Gjatë vizitës delegacionit iu bashkua edhe Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, z. Nazmi Viqa.
“Kompanitë nikoqire nga Gjermania shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kompanitë nga Kosova, duke parë potencial të madh në cilësinë e produkteve dhe kapacitetet e tyre prodhuese për depërtim dhe zgjerim në tregun gjerman. Ky cikël vizitash do të kurorëzohet me takime B2B që do të mbahen sonte në Düsseldorf, me pjesëmarrjen e bizneseve nga Kosova dhe Gjermania, si hap i radhës drejt konkretizimit të bashkëpunimeve të reja afariste”, thuhet në komunikatën e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane (UBSHGJ
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane mbetet i përkushtuar në misionin e tij për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke fuqizuar rolin e diasporës dhe duke mbështetur konkretisht ndërmarrësit shqiptarë në rrugëtimin e tyre drejt zhvillimit dhe depërtimit në tregun evropian.