Ish-deputetët: Ngërçi me kryeparlamentarin nuk i konvenon Kosovës, Kurti të bëj kompromis me opozitën

08:04 | 07 Maj 2025
ish-deputetet:-ngerci-me-kryeparlamentarin-nuk-i-konvenon-kosoves,-kurti-te-bej-kompromis-me-opoziten

Po bëhen gati një muaj prej se Lëvizja “Vetëvendosje”, subjekti më i madh parlamentar, tenton vazhdimisht ta zgjedhë në krye të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiun, por kjo iniciativë ka rezultuar e pasuksesshme deri më tani.

Edhe sot me shumë gjasë Albulena Haxhiu do të propozohet nga VV-ja për kryetare të Kuvendit, por rezultati do të jetë i qartë: Dështim.

Haxhiu nga partitë opozitare shihet si “figurë përçarëse”, prandaj refuzojnë votimin e saj, derisa subjekti prej nga vjen deputetja nuk i ka 61 votat e nevojshme në Kuvend.

Ish-deputetët që kanë qenë për disa mandate pjesë e Kuvendit të Kosovës thonë se lëvizja “Vetëvendosje” duhet të bëj kompromise me opozitën.

 

Haki Abazi: Kurti asnjë institucion nuk e sheh më të rëndësishëm se interesin personal

Ish-deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Haki Abazi, i cili ka qenë edhe zëvendëskryeministër i vendit, ka kritikuar ashpër “Vetëvendosjen” për bllokadën e Kuvendit.

Ai tha për “Front Online” se kjo situatë pasqyron mendësinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas tij, nuk e sheh asnjë institucion tjetër më të rëndësishëm, siç thotë ai, se vetveten.

Abazi ka shtuar se për të realizuar objektivat e tij personale, Kurti ka bllokuar çdo mundësi për kompromis politik.

“Kjo është mendësia e Kurtit që asnjë institucion tjetër nuk është më i rëndësishëm se ai vet dhe për të arritur objektivat e tija personale që është një autizim politik e ka bllokuar çdo tentim racional për kompromis politik. Sa më shumë që kalon kohë që Kurti është direkt në politikë aq më shumë njerëz e kuptojnë se nuk e ka për interes të vendit”, ka deklaruar Abazi për “Front Online”.

 

Ish-deputeti Haliti: Beteja për kryetarin e Kuvendit është qesharake, Kurti të lëshojë rrugë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, për “Front Online” ka folur lidhur me zvarritjen politike aktuale në Kuvend, duke e quajtur atë “pak qesharake”.

Sipas Halitit, njëra palë e quan veten pozitë dhe tjetra opozitë, dhe të dyja po luftojnë për të realizuar objektivat e tyre.

“Të dyja blloqet po luftojnë politikisht që njëri bllok të shkarkojë kryeministrin aktual dhe tjetri bllok po përpiqet që ta bëj qeverinë e vet. Nuk e shoh si tragjike situatën por do të duhej sa më shpejt Qeveria, tani nëse Albini nuk mund ta formojë qeverinë do të duhej të lëshojë rrugë”, tha Haliti.

Haliti ka përfunduar duke thënë se, nëse asnjë palë nuk del fituese në këtë betejë, vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të reja.

“Beteja për kryetarin e parlamentit është pak qesharake, sepse nuk ka ndodhë në të kaluar betejë për krye parlamentar dhe është absurd por mendoj që të dyja palët po mundohen të fitojnë. Tani nëse në këtë betejë nuk del fitimtar që e bën parlamentin dhe qeverinë duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt”, shprehet Haliti.

 

Ish-deputeti i LDK-së: Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti duhet të jenë figura unifikuese

Gani Geci, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës është prononcuar për “Front Online” lidhur me krizën politike në Kuvendin e Kosovës, duke e krahasuar atë me një krizë të ngjashme që ndodhi në vitin 2014.

Geci ka shtuar se krizën e krijojnë ata që kanë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë, duke iu referuar tentativave për të imponuar një kandidaturë të caktuar.

Ai gjithashtu ka theksuar se përpjekjet për të lidhur kryetarin e Kuvendit me nënkryetarët janë të gabuara.

“Në 2014 kemi pas një krizë përafërsisht të njëjtë deri sa ka shkuar lënda në Kushtetuese dhe është vërtetuar që kreu i Kuvendit i takon partisë fituese. Krizën po e prodhojnë ata që kanë mundësi ta prodhojnë jo ata që s’kanë. Nëse ti donë me imponuar diçka ti e propozon dikë që nuk i pëlqen atij tjetrit dhe ua imponon atyre bojkotin. Këta po mundohen me e lidhë kryetarit e Kuvendit me nënkryetaret por nuk lidhet sepse kreu i Kuvendit dhe Presidenti janë dy figura afërsisht të ngjashme duhet të jetë figurë unifikuese”, deklaroi Geci.

 

Ish-deputeti i AAK-së: Ngërçi politik është pasojë e gabimeve të Kurtit

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, për “Front Online” tha se ngërçi politik aktual në vend, nuk i konvenon Kosovës dhe duhet të krijohen sa më shpejt institucionet e reja.

“Ky ngërç politik nuk i konvenon vendit dhe duhet të krijohen sa më shpejt institucionet. Të parit i takon që të ftoj partitë tjera që të bashkëpunoj me ta sepse vota ka qenë e pamjaftuar për një parti të qeverisë vetë”, deklaroi Dreshaj.

Ai ka kritikuar Kurtin për mendimin se do të fitonte bindshëm dhe për mos zhvillimin e bisedave me partitë e tjera më herët.

“Bisedat me partitë e tjera ka qenë të zhvillohen më herët por Kurti ka bërë gabim duke menduar që do të fitoj bindshëm dhe nuk ka nevojë për opozitën. Kosovës nuk i konvenon stagnimi”, shprehet Dreshaj.

 

 

 

 

Komento: