Vizita e kryediplomates europiane në Prishtinë vjen në një kohë kur autoritetet kosovare i kanë shtuar thirrjet për heqjen e masave shtrënguese të Brukselit, madje tani pretendojnë që kjo gjë të ndodhë përpara vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Bashkimi Europian vetë insiston që të ketë shtensionim situate në Kosovë, qeveria e së cilës ka vazhduar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, duke nxitur reagimin e bllokut.
Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.
Përpara vizitës në Kosovë, Kallas ndalon në Serbi ku planifikon takime me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq.
Në Shkup ndërkohë, ajo do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, e do të hapë në kryeqytetin maqedonas “ Dialogun e parë për Siguri dhe Mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut”.