Kallas vjen në Kosovë mes bllokadës politike e stagnimit të dialogut

08:11 | 22 Maj 2025
kallas-vjen-ne-kosove-mes-bllokades-politike-e-stagnimit-te-dialogut

Kosova ndodhet në një ngërç të thellë politik dhe institucional, pasi edhe pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet e fundit parlamentare nuk është arritur të konstituohet Kuvendi, gjë që po e pengon formimin e Qeverisë së re. Asnjëra prej partive nuk ka siguruar shumicën për të udhëhequr vetë, ndërsa mospajtimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë krijuar një bllokadë që ka paralizuar funksionimin e institucioneve qendrore.

Kjo situatë po ndikon edhe në çështje të rëndësishme politike, siç është dialogu me Serbinë, i cili ka mbetur  i bllokuar tash e një kohë.

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaia Kallas, ka konfirmuar se sot do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në kuadër të një angazhimi të ri diplomatik për të shtyrë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Vizita e paralajmëruar më herët, vjen në një periudhë të ndjeshme pas zhvillimeve në veri të Kosovës dhe stagnimit të dialogut Prishtinë–Beograd.

Në Prishtinë dhe Beograd, ajo do të zhvillojë takime me udhëheqës politikë dhe përfaqësues institucionalë, me qëllim që të inkurajojë rifillimin e dialogut, jo vetëm në nivel teknik, por edhe politik.

Vëmendja mbetet tek ajo se kujt do t’i drejtohet më shumë presioni ndërkombëtar këtë herë, Kosovës apo Serbisë.

 

Kallas sot në Kosovë: Para heqjes së masave të BE-së, shtensiononi situatën!

“Në Kosovë, Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, theksohet në njoftimin e BE-së.

Vizita e kryediplomates europiane në Prishtinë vjen në një kohë kur autoritetet kosovare i kanë shtuar thirrjet për heqjen e masave shtrënguese të Brukselit, madje tani pretendojnë që kjo gjë të ndodhë përpara vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.

Bashkimi Europian vetë insiston që të ketë shtensionim situate në Kosovë, qeveria e së cilës ka vazhduar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, duke nxitur reagimin e bllokut.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Përpara vizitës në Kosovë, Kallas ndalon në Serbi ku planifikon takime me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq.

Në Shkup ndërkohë, ajo do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, e do të hapë në kryeqytetin maqedonas “ Dialogun e parë për Siguri dhe Mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut”.

 

Arifi: Vizita e Kallas sinjal për rikthimin e dialogut – BE mund të veprojë ndrysh

Ish-ambasadori dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke e lidhur atë ngushtë me situatën politike në vend dhe me të ardhmen e dialogut Kosovë–Serbi.

“Ka qenë e ditur se posa të krijohet Qeveria e re, dialogu do të rikthehej në agjendë,” deklaroi Arifi, duke nënvizuar se formimi i institucioneve të reja ishte kusht për rifillimin e procesit të bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.

Megjithatë, në mungesë të qeverisë së re, Arifi paralajmëron se Brukseli mund të ndjekë rrugë alternative.

“Qeveria e re nuk po formohet dhe është e mundur që BE do të insistojë që t’i rikthehet temës në forma të tjera,” tha ai për FrontOnline duke ngritur shqetësime për mundësinë e ndryshimit të qasjes së BE-së ndaj Kosovës në këtë proces.

Sipas Arifit, vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet deklaratës së Kallas për një qasje të re në raport me dialogun.

“Kallas ka paralajmëruar qasje të re, andaj është tejet me rëndësi çka nënkupton ajo qasje,” tha ai.

 

Dedaj: Vizita e Kaja Kallas në Kosovë po ndodhë në momentin më të keq për vendin

Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë, duke e cilësuar atë si të pavend në rrethana aktuale të rënda politike dhe institucionale në vend.

“Vizita e zonjës Kaja Kallas, përfaqësuese për Politikë të Jashtme dhe për Siguri e Bashkimit Europian, e cila pritet të vijë në Kosovë me qëllim të sjelljes së mesazhit të BE-së për zhvillimet politike, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, tha Dedaj.

Ai shtoi se në kushte të tilla është e vështirë të pritet ndonjë përfitim konkret nga kjo vizitë.

“Në një situatë të tillë është vështirë të flitet për një vizitë e cila mund të sjellë ndonjë progres apo sukses për Kosovën. Është hendikep i madh që zonja Kallas vjen në Kosovë në një moment fragjil, duke e gjetur Kosovën në një gjendje të rëndë politike, pa institucione kredibile dhe pa Kuvend dhe pa Qeveri.” potencoi Dedaj.

Duke folur për përfaqësuesit institucionalë të vendit, Dedaj kritikoi legjitimitetin e tyre politik dhe shtetëror.

“Në njërën anë e kemi Vjosa Osmanin e cila nuk ka mbështetje politike dhe si e tillë ka legjitimitet të dëmtuar institucional dhe shtetëror, si dhe në anën tjetër e kemi deputetin Albin Kurti i cili po ashtu nuk ka as legjitimitet dhe as legalitet të përfaqësimit institucional, qeveritar dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.” u shpreh ai për FrontOnline.

Sipas tij, ngërçi politik dhe kolapsi institucional e vënë Kosovën në pozitë të vështirë të përfaqësimit dinjitoz dhe të marrjes së përgjegjësive shtetërore para zonjës Kallas

 “Ngërçi politik dhe kolapsi institucional e vënë Kosovën në pozitë të vështirë të përfaqësimit dinjitoz dhe të marrjes së përgjegjësive shtetërore para zonjës Kallas, respektivisht para BE-së, qoftë për vazhdimin e dialogut me Serbinë apo edhe të çështjeve tjera për të cilat kërkohet progres nga BE dhe partnerët ndërkombëtarë ndaj Republikës së Kosovës.” tha tutje Dedaj.

Ai përfundoi se në këto rrethana nuk pritet ndonjë përparim domethënës.

 “Në një situatë të tillë të destabilizimit politik dhe në gjendje të mjerë të diplomacisë kosovare dhe të vetë shtetit të Kosovës është vështirë të pritet ndonjë sukses apo rezultat konkret nga kjo vizitë e zonjës Kaja Kallas në Kosovë!” përfundoi ai.

 

Pozhari: Kallas do të kërkoj formimin e institucioneve dhe për hapjen  e rrugës së vazhdimit të dialogut

Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka folur për vizitën e Kaja Kallas në Kosovës, përfaqësueses së lartë të BE-së, ku thotë se kjo vizitë ishte e paralajmëruar më parë dhe lidhet ngushtë me përpjekjet e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës.

Vizita e Kallas ishte paralajmëruar edhe më parë, sikundërse edhe tema kryesore që është në fokusin e BE-së, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pas ngjarjeve në veri,” thekson Pozhari.

Sipas tij, është e pritshme që Kallas të kërkojë nga autoritetet kosovare përparim në themelimin e institucioneve që dalin nga marrëveshjet e mëhershme, në mënyrë që dialogu të vazhdojë edhe në nivel politik dhe jo vetëm teknik.

Me shumë gjasë, Kallas nga Kosova do të kërkojë edhe themelimin e institucioneve në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut edhe në nivel politk, e jo veç teknik siç ka qenë deri më tani,” shton ai për FrontOnline.

Megjithatë, Pozhari nuk përjashton mundësinë që Kallas të përmendë edhe mjete të tjera përveç dialogut, veçanërisht pas konsultimeve me përfaqësuesin e Posaçëm për dialogun, Peter Sorensen.

Por, nuk përjashtohet që Kallas mund të përmend edhe mjete tjera përveç dialogut, siç ka paralajmëruar se mund ta bëjë pas konsultimeve me përfaqësuesin e Posaçëm për dialogun, Peter Sorensen,” thekson analisti.

Ai tha kësaj radhe shihet nëse presioni do të zhvendoset mbi Serbinë, apo sërish padrejtësisht mbi Kosovën.

Ajo që mbetet të shihet është nëse presioni do të rëndoj kësaj radhe më shumë mbi supet e Serbisë apo Kosovës siç ka qenë deri më tani, padrejtësisht,” përfundon Pozhari.

 

Vllasi: Po krijojmë përshtypje se nuk dimë të udhëheqim shtetin

Analisti politik Azem Vllasi ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë, duke e vendosur atë në kontekstin e krizës së brendshme institucionale që, sipas tij, po dëmton rëndë pozitën ndërkombëtare të vendit.

“Pasojat negative në pozitën ndërkombëtare të Kosovës për shkak të bllokadave në konstituimin e Kuvendit dhe moszgjedhjes së Qeverisë janë të mëdha,” tha Vllasi, duke theksuar se situata aktuale në Prishtinë po dërgon sinjale alarmante tek aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.

Sipas tij, përçarjet dhe ngërçi institucional kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si një shtet që di të qeverisë veten.

“Përshtypja është se nuk dimë të udhëheqim shtetin,” tha Vllasi.

Ai paralajmëroi se durimi i partnerëve ndërkombëtarë është duke u sosur.

“Edhe miqtë e përkrahësit tanë po gërditen prej këtyre që me votën e lirë ua kemi besuar udhëheqjen e shtetit’’ deklaroi tutje Vllasi.

Vllasi nënvizoi se dëmet që po shkaktohen nga kjo situatë nuk janë të lehta për t’u përmirësuar. “Pasojat janë të papërmirësueshme,” theksoi ai,

 

Maloku: Vizita e Kaja Kallas në Kosovë me peshë të jashtëzakonshme gjeostrategjike e diplomatike

Analisti politik dhe profesori universitar Fadil Maloku për FrontOnline ka vlerësuar se vizita e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në Kosovë, përveç rëndësisë simbolike, bart edhe peshë të jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe gjeostrategjike, sidomos në kontekstin aktual të zhvillimeve globale.

“Zbarkimi i ish-kryeministres së Estonisë, Kaia Kallas në Kosovë, përveç shumë benefiteve simbolike, ka edhe peshë e rëndësi të jashtëzakonshme; politike, diplomatike, po shlirë mund të themi edhe një peshë gjeostrategjike në këto kohëra drithërimesh e kërcënimeve rajonale, kontinentale e globale,” deklaroi Maloku.

Ai nënvizoi profilin e lartë të Kallas në diplomacinë evropiane, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

“Kjo zonjë që në qarqet diplomatike, njihet me portretin e figurës shumë të zëshme në BE lidhur me mbrojtjen e vlerave të demokracisë perëndimore; me qëndrimet tejet të prera ndaj kërcënimeve agresive të Rusisë; mbështetjen e fuqishme që ia adreson viktimizimit të Ukrainës; si edhe me prononcimet jo edhe aq eufemiste ndaj dialogut Serbi-Kosovë.” potencoi ai.

Sipas tij, vizita e Kallas mund të ketë dy qëllime kryesore.

 “a) Rikthimin dhe forcimin e partneritetit politik të Republikës së Kosovës, që ishte lënduar padrejtësisht me sanksione (!) nga byrokratët e mëhershëm të Brukselit… dhe b) Qartësimin e mesazhit lidhur me nisjen e një fillimi të ri homegjenizues që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt me ‘unitetin’ e luhatur evropian…” shtoi ai për FrontOnline.

Maloku gjithashtu i dha theks rëndësisë diplomatike të vizitës, duke e cilësuar si pjesë të një “Diplomacie të solidaritetit demokratik”. Ai theksoi se Kosovës i nevojitet “një diplomaci shumë më efektive, shumë më praktike e pragmatike, e jo sos e ‘turravrapit’ si ishte deri më tani.”

Ai paralajmëroi për kujdes në pritshmërinë që Kosova duhet të ketë nga kjo vizitë, për shkak të gjendjes së brendshme politike dhe dobësive në përfaqësim ndërkombëtar.

“Kujtoj që pritjet tona duhet të jenë modeste… por, edhe me rezerva. Them kështu, shkaku, se na mban shpresa për; një mbështetje më të theksuar ndërkombëtare; një nxitje për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; një shpresë me garancione për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e më pastaj edhe në NATO.” tha ai për FrontOnline

 

Komento: