KAMA: Rritja e tarifave të energjisë rrezikon industrinë e tekstilit dhe të veshmbathjes në Kosovë

16:08 | 17 Maj 2025
kama:-rritja-e-tarifave-te-energjise-rrezikon-industrine-e-tekstilit-dhe-te-veshmbathjes-ne-kosove

Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjes (KAMA) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe për kalimin e detyrueshëm të konsumatorëve të mëdhenj industrialë në tregun e liberalizuar që nga 1 qershori 2025.

Ky vendim pritet të ketë ndikim të rëndë në sektorin e tekstilit dhe veshmbathjes – një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në punësim, eksport dhe zhvillim ekonomik lokal në Kosovë. Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, e kombinuar me periudhën shumë të shkurtër të tranzicionit të paraparë për kalimin në tregun e liberalizuar, e vë industrinë në një pozitë të vështirë për t’u përshtatur dhe për të ruajtur kapacitetet ekzistuese të prodhimit dhe punësimit.

Një prej fabrikave më të mëdha me kapital të huaj në këtë sektor ka paralajmëruar largimin e dhjetëra punëtorëve si pasojë e kësaj ngarkese të re financiare. Me tarifat e reja, kostoja mujore për energji do të rritet në nivele të papërballueshme, duke tejkaluar shumëfish shpenzimet aktuale dhe duke e bërë funksionimin e rregullt të pamundur. Ky nuk është një rast i izoluar – situata të ngjashme mund të ndodhin edhe në kompani të tjera që nuk do të kenë mundësi të përballojnë ndikimin financiar të këtij vendimi.

Kjo situatë po ndikon gjithashtu në besimin e investitorëve ekzistues dhe po dëmton klimën për investime të reja në vend. Mungesa e parashikueshmërisë, kostot e larta dhe qasja e njëanshme në vendimmarrje po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e stabilitetit në sektorin prodhues.

Shoqata KAMA bën thirrje për një rishqyrtim të menjëhershëm të vendimit dhe për vendosjen e një dialogu të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të industrisë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që ruan funksionimin e sektorëve strategjikë pa i ekspozuar ata ndaj rrezikut të kolapsit. KAMA thekson se afatet aktuale të parashikuara për këtë ndryshim janë të pamjaftueshme për një përshtatje të qëndrueshme të industrisë dhe kërkon një qasje graduale, të dakorduar dhe të mbështetur.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë – përmes analizave të ndikimit, rekomandimeve teknike dhe bashkëpunimit me institucionet – në mënyrë që të garantojmë një kalim të drejtë dhe të përballueshëm për sektorët prodhues.

Industria jonë nuk kërkon trajtim të veçantë, por kërkon kushte të barabarta dhe kohë reale për t’u përshtatur. Nëse nuk veprohet me kujdes dhe bashkëpunim, humbjet do të jenë të pallogaritshme për ekonominë e vendit

Komento: