Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se projekti “Masa për Reduktimin e Pluhurit dhe De-NOx në Termocentralin Kosova B, njësiti B1 dhe B2”, ka arritur në fazën paraimplementuese.
KEK-u tha se dje ka pritur një delegacion të lartë të BE-së nga Brukseli, ku vizituan Termocentralin Kosova B për të marrë një pasqyrë të aktiviteteve në zhvillim dhe të projektit të planifikuar.
“Gjatë vizitës, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, z. Gramos Hashani, së bashku me ekipin e menaxhmentit të KEK, informuan delegacionin për përparimin e arritur në sigurimin e kushteve teknike për fillimin e projektit”.
“KEK theksoi angazhimin e tij, i cili ka rezultuar me sukses në përfundimin e projekteve të nevojshme, duke përfshirë projektin e dilatimit të kaldajave, i cili ishte parakusht për fillimin e implementimit të projektit të elektrofiltrave dhe De-NOx, duke hapur kështu rrugën për fillimin e këtij projekti strategjik”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, në njoftim bëhet e ditur se sot është nënshkruar Amandamenti i 9-të i kontratës midis BE-së dhe KEK-ut.
:Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, KEK dhe Kontraktori riafirmuan angazhimin e tyre për të siguruar që projekti të ecë përpara sipas dinamikës së planifikuar”.
“Implementimi i këtij projekti do t’i mundësojë Termocentralit Kosova B të operojë në përputhje të plotë me Direktivat e Emisioneve Industriale të Bashkimit Evropian për pluhurin dhe De-NOx, duke ulur ndotjen e ajrit, veçanërisht në muajt e dimrit, kur është më e dëmshme”, thuhet në njoftim.