Komuna e Rahovecit e cila drejtohet nga Smajl Latifi, pasi ka zgjedhur Operatorin Ekonomik për furnizim me pije dhe ushqim për pacientet e Hemodializës, ka marrë vendim që ta anuloj këtë proces prokurimi në mungesë të mjeteve, raporton Front Online.
Në arsyetimin e komunës për anulimin e këtij procesi të Prokurimit thuhet se Njësia Kërkuese nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, kërkon që të anulohet ky aktivitet i prokurimit duke cekur: Ju njoftojmë se ne ketë kod buxhetor, nuk ka mjete buxhetore për shkak se janë shpenzuar nga thesari. Andaj nuk mund te bëjmë kontrata pa sigurim te mjeteve financiare.
Por, kundër këtij vendimi, kompania e cila është rekomanduar për kontratë “Healthy & Fresh” L.L.C ka dorëzuar ankesën në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se vendimi i komunës për anulimin e këtij procesi është i pa drejtë.
“Me datën 19.05.2025 Autoriteti Kontraktues nxjerr vendim mbi pezullimin e aktivitetit të prokurimit pas pranimit të kërkesës për rishqyrtim, dhe po me të njëjtën datë nxjerr edhe vendimin mbi refuzimin e kërkesës për rishqyrtim si të pabazuar. Autoriteti Kontraktues nuk i përgjigjet fare pretendimeve tona ankimore të cilat i kemi parashtruar me rastin e dorëzimit të kërkesës për rishqyrtim dhe nuk jep asnjë arsyetim në lidhje me pretendimet tona e që e ka për obligim që të përgjigjet sipas rregullave dhe dispozitave tjera ligjore konform Ligjit për Prokurimin Publik. Të njëjtët si arsyetim e përdorin përgjigjen e Drejtorisë përkatëse që kanë kërkuar anulimin e kësaj procedure” thuhet në ankesën e kompanisë / Front Online /