KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës deri më sot nuk ka paguar asnjë cent për shërbimet e mbeturinave.
Sipas kësaj kompanie, borxhi që e ka komuna ndaj tyre është mbi 2.7 milionë euro.
Në një komunikatë të lëshuar për media, KRM “Pastrimi” thotë se nuk po arrin të kryejë obligimet ndaj pagesave të naftës, dhe si pasojë nuk do të mund të vazhdojë as shërbimi për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.
“Për arsye se na është ndalë furnizimi me naftë. Tri herë kemi arrit marrëveshje ne si kompani, mirëpo marrëveshja është harxhuar dhe fondet janë bllokuar”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Kjo ndërmarrje shton se Komuna e Prishtinës ka mbledhur kundërligjshëm pagesat nga qytetarët mbi 600 mijë euro, por ato nuk i ka transferuar tek ndërmarrja jonë e në anën tjetër nuk ka lejuar as qytetarët të paguajnë në Pastrim.
“Ky nuk është vetëm një bllokim financiar, por edhe një bllokim i pastërtisë dhe shëndetit publik. Përderisa Kryetari Rama zgjedh të bëjë lojëra politike dhe hap rrugën për tenderë të dyshimtë që rrezikojnë falimentimin e ndërmarrjes publike, ne theksojmë se shërbimet bazike nuk mund të kryhen pa mjete. Kryetar lëri lojërat politike, nuk kemi nevojë për ndihmë po kemi nevojë të na paguani borxhin që keni ndaj nesh për shërbimin që jemi duke e bërë, mos luani as me ndjenjat e punëtorëve, as mos rrezikoni shëndetin e qytetarëve”.
“Pa pagesa – nuk po kemi mundësi për shërbim. Po e themi me keqardhje: Prishtinas, shëndeti juaj është duke u rrezikuar qëllimshëm nga Përparim Rama. Tash e 5 muaj kemi kërkuar takim, mirëpo jemi injoruar dhe nuk na ka takuar! Ne do të kryejmë shërbimin për aq sa kemi naftë në rezervarët e kamionëve”, përfundon shkrimi.