Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se partia e tij është konsistente në qëndrimet e saj sa i përket votimit të kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare dhe se nuk lëviz nga këto.
“Kryetari Krasniqi çdo të dytën ditë pas seancave ka dhënë qëndrim dhe nuk ka asnjë lëvizje pas qëndrimeve që ka dhënë ai dhe jemi në vazhdim e sipër për të përcjellë dhe monitoruar situatën sepse juridikisht ne jemi për të marrë dhe menaxhuar pjesën që na garanton nga Kushtetuta”.
Në një konferencë për media, i pyetur për letrën e kryetari të Vetëvendosjes, Albin Kurti, drejtuar LDK-së, Shala tha se s’komenton “letra që i janë dedikuar një subjekti tjetër që unë nuk hyj në atë temë”.
“Kryetari i PDK-së është konsistent në të gjitha deklaratat që nga përfundimi i procesit zgjedhor e deri më sot”.
Ai tha se kanë dhënë arsyet se pse s’e votojnë Haxhiun për kryeparlamentare dhe tha se s’beson që partia e tij do të lëvizë nga ky qëndrim.
“Ne kemi konsistencë në këtë dhe i kemi dhënë arsyet pse s’e votojmë dhe këtu s’ka asnjë ndryshim dhe s’besoj që do të ketë ndryshim nga kryetari i PDK-së”.
Dje për të njëmbëdhjetën herë, Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet, ndërsa nesër do të mbahet seanca e radhës.