Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar sot në takim konsultativ krerët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të zhbllokuar situatën e krijuar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, takimi zhvillohet në kuadër të konsultimeve kushtetuese, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për formimin e organeve drejtuese të Kuvendit.
Ky proces ka hyrë në një ngërç që nga seanca e parë konstituive, tashmë e një muaj kur Lëvizja Vetëvendosje si subjekti fitues i zgjedhjeve nominoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme të shumicës së thjeshtë, përkundër disa tentativave.
Opozita ka kërkuar që Vetëvendosje të tërheqë kandidaturën e Haxhiut dhe të propozojë një emër të ri, por kjo kërkesë është refuzuar nga partia fituese. Në përpjekje për të siguruar një marrëveshje, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka ftuar në takim kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, duke i ofruar edhe mundësinë e një koalicioni, por ftesa është refuzuar. Në vend të kësaj, LDK ka propozuar krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse nacionale, që do të drejtonte vendin deri në zgjedhjen e Presidentit në prill të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e ndryshimit të formës së votimit për kryetarin e Kuvendit nga votim i hapur në të mbyllur dhe aktualisht është në pritje të një përgjigjie nga ky organ. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga ana tjetër, po insiston në formimin e një qeverie nga partitë që ishin në opozitë deri në zgjedhjet e fundit.
Takimi me Presidenten, Deliu-Kodra: Presim zgjidhje për krizën politike
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra deklaroi për FrontOnline se takimi me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin shpreson që s’do të jetë takim vetëm i ftuar, por të ketë në thelb tejkalimin e krizës institucionale.
Deliu-Kodra ka pritshmëri se ky takim do të ndikoj në daljen nga kriza politika aktuale në vend.
“I rëndësishëm është fakti që për ftesën e PDK-së, me datë 15 do ta kemi takimin me presidenten Osmani. Është mirë që pjesëmarrja është konfirmuar nga të gjithë. Ky takim shpresoj të prodhoj dalje nga ky ngërç nga i cili ndodhet Kosova. Shpresoj që s’do të jetë takim vetëm i ftuar, por të ketë në thelb tejkalimin e krizës institucionale. Mbetet të shihet, por pritjet janë që të kemi dalje nga kriza politike”, shprehet Deliu-Kodra për FrontOnline.
Hyseni: Presim reflektim dhe qasje të re – Numrat nuk po mjaftojnë për asnjë palë
Para takimit të Presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive parlamentare, deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, për FrontOnline tha se qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar sa i përket Qeverisë nacionale, duke theksuar mungesën e numrave të mjaftueshëm për të formuar një zgjidhje nga asnjëra palë.
“Qëndrimi është i njëjtë, jo pse ne e kemi dhënë atë qëndrim, por për shkak të numrave, ku numrat nuk janë të mjaftueshëm as nga VV dhe as nga partitë tjera,” tha Hyseni për FrontOnline.
Ai shtoi se pret reflektim dhe një qasje të re nga të gjitha palët, duke vënë në pah nevojën për një zgjidhje racionale për të dalë nga kriza politike.
“Mendoj se është shans të shihet nëse janë teke personale, apo janë çështje vërtet që kërkojnë qasje racionale për të dalë nga kriza,” përfundoi Hyseni.
Bekë Berisha: Më shumë shpresë kam te Gjykata Kushtetuese sesa te Presidentja Osmani
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Beke Berisha, për FrontOnline ka shprehur skepticizëm lidhur me efektivitetin e takimit konsultativ të thirrur sot nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
“Më shumë kam shpresë tek Gjykata Kushtetuese, sepse tek Presidentja nuk kam ndonjë shpresë që ka me zgjidhë këtë gjë’’ tha ai për FrontOnline
Në një deklaratë për media, Berisha tha se nuk pret ndonjë zgjidhje nga Presidentja Osmani, duke shtuar se roli i saj si unifikuese është i pamundur në rrethanat aktuale politike.
‘’Presidentja nuk ka me mujtë me luajt rolin e unifikimit,” u shpreh Berisha.
Rexhepi para takimit me Osmanin: Të konstituohet Parlamenti, në të kundërtën le të shkojmë në zgjedhje
Deputetja Emilja Rexhepi, për FrontOnline në prag të takimit të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani më 15 maj, ka theksuar se është duke pritur se çfarë do të propozoj e para e shtetit.
“Le të shohim fillimisht se çfarë do të na propozojë presidentja” tha Rexhepi.
Ajo shtoi se të gjitha partitë duhet të bashkëpunojnë për të çuar përpara procesin e konstituimit të institucioneve.
“Të gjithë së bashku duhet të konstituojmë Parlamentin, t’i votojmë nënkryetarët dhe t’i hapim rrugën Kurtit për të formuar qeverinë,” u shpreh ajo.
Rexhepi theksoi se nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, atëherë qytetarët duhet të vendosin sërish përmes zgjedhjeve.
“Nëse jo, më mirë të shkojmë në zgjedhje,” përfundoi ajo.
Matoshi: Presidentja s’mund të ndikojë ligjërisht, por mund të kërkojë sqarime nga Kushtetuesja
Në prag të takimit të nesërm të Presidentes së Kosovës me liderët e partive politike, analisti politik Halil Matoshi për FrontOnline ka komentuar rolin dhe mundësitë e Presidentes në këtë proces, duke theksuar kufizimet kushtetuese të pozitës së saj.
“Presidentja nuk ka asnjë mjet juridik-politik në dispozicion sepse në demokraci pushtetet janë të ndara,” ka deklaruar Matoshi, duke shtuar se në këtë situatë, roli i saj mbetet më shumë moral dhe simbolik sesa vendimmarrës.
Sipas Matoshit, e vetmja gjë që Presidentja mund të bëjë është të apelojë për përgjegjësi politike dhe bashkëpunim ndërpartiak.“Ajo mund t’i lus liderët për përgjegjësi dhe për një afat të arsyeshëm.” tha ai
Megjithatë, në rast të paqartësive lidhur me afatet kohore për konstituimin e institucioneve, Presidentja ka ende një opsion institucional në dispozicion.“Por, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime se sa duhet të jetë koha e arsyeshme për konstituimin e Kuvendit,” thekson Matoshi.
Takimi i nesërm pritet të jetë një përpjekje për të shtyrë përpara dialogun politik në një moment kur vendi ndodhet në një ngërç institucional pas zgjedhjeve të fundit.