Kosova pa zë në botë/ Ngërçi politik ‘’paralizon’’ diplomacinë kosovare

18:13 | 19 Maj 2025
kosova-pa-ze-ne-bote/-ngerci-politik-‘’paralizon’’-diplomacine-kosovare

Kriza institucionale që ka përfshirë Kosovën pas zgjedhjeve, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe mungesës së një Qeverie të re funksionale, po lë pasoja të rënda në politikën e jashtme të vendit.

Në një moment kur Kosova ka nevojë urgjente për të konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtare dhe për të avancuar në proceset euroatlantike, bllokada politike ka paralizuar diplomacinë dhe ka zbehur ndjeshëm kapacitetin e shtetit për të vepruar në forume ndërkombëtare.

Përfaqësimi i dobët diplomatik, mungesa e vendimmarrjes së qartë dhe statusi i përkohshëm i institucioneve po ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet bilaterale me shtete partnere, në procesin e integrimit evropian dhe në sigurimin e fondeve të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillim ekonomik.

Ish-diplomatë dhe njohës të politikës së jashtme paralajmërojnë se dëmet që po i shkaktohen Kosovës në këtë fazë janë jo vetëm të mëdha, por edhe të vështira për t’u rikuperuar në afat të shkurtër.

Në mungesë të një qeverie legjitime dhe Kuvendi funksional, Kosova rrezikon të humbasë mundësi kyçe për të forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe për të ndikuar në agjendat rajonale dhe globale ku është e përfshirë.

 

Pacolli: Për fat të keq, pasojat për Kosovën pritet të jenë edhe më të rënda

Ish-presidenti dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës aktuale për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur situatën një krizë serioze kushtetuese dhe institucionale që po thellohet për shkak të papërgjegjshmërisë politike.

Çfarë loje po luan mazhoranca? Është për të ardhur keq dhe për t’u turpëruar se si mazhoranca ende nuk po kupton që qytetarët ia kanë dhënë besimin për të qeverisur me përgjegjësi – jo vetëm për të zbatuar politika dhe reforma, por edhe për të zgjidhur me urgjencë problemet institucionale kur ato shfaqen,” ka deklaruar Pacolli.

Ai ka theksuar se zvarritja e konstituimit të Kuvendit nuk është më çështje teknike apo politike, por një dështim i thellë institucional.

Moskonstituimi i Kuvendit është një krizë serioze kushtetuese dhe institucionale, dhe zgjidhja e saj nuk mund të vonohet më. Ky është një problem që kërkon përgjigje të menjëhershme dhe vendimmarrje të guximshme – e para dhe mbi të gjitha nga mazhoranca,” ka theksuar ai.

Pacolli ka fajësuar mazhorancën për mungesën e përgjegjësisë politike dhe ka kritikuar qëndrimin e saj pas refuzimit të përsëritur të kandidates për kryetare të Kuvendit.

Mazhoranca nuk mund të fshihet pas alibive politike. Ajo është bartësja e legjitimitetit dhe përgjegjësisë për funksionimin e institucioneve. Nëse kandidatja e propozuar për kryetare Kuvendi nuk gëzon konsensus ose krijon përplasje politike, atëherë ajo është dashur të tërhiqet menjëherë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re dhe funksionale.”

Ai e ka quajtur të papranueshme këmbënguljen për një emër që është refuzuar në mënyrë të përsëritur nga deputetët.

Nuk kuptohet se si kandidatja nuk ka reflektuar pas gjithë këtyre refuzimeve të njëpasnjëshme. Kur një person refuzohet tetëmbëdhjetë herë për të njëjtin post, është e qartë se nuk është e dëshiruar – as nga opozita, ndoshta as nga një pjesë e vetë mazhorancës. Rënia e saj në këtë pikë tregon një mungesë vetëdijeje politike dhe etike.”

Pacolli ka paralajmëruar se kjo situatë po dëmton jo vetëm institucionet, por edhe vetë funksionimin e shtetit.

Kjo këmbëngulje e pakuptimtë, më shumë sesa ambicie, po shndërrohet në pengesë për funksionimin e shtetit,” ka thënë ai.

Në fund të deklaratës, ai ka kritikuar ashpër edhe qasjen e mazhorancës, të cilën e ka krahasuar me lojëra politike në dëm të vendit.

Mazhoranca po e shndërron këtë proces të rëndësishëm në një lojë të brendshme force, ku kandidatja po trajtohet si “guxhja” e radhës në një lojë të lodhur të ‘guxhave’, siç e quajnë me ironi qytetarët. Kjo qasje është tallje me institucionet dhe me qytetarët që presin rezultate, jo spektakël politik.”

Ai ka përfunduar me një paralajmërim të fortë për pasojat që po i vuan vend.

Kam frikë se qytetarët ende nuk e kanë kuptuar se partia fituese e zgjedhjeve po e trajton Kosovën siç e trajtojnë hijenat viktimën. Kosova po përballet me probleme serioze për shkak të mungesës së lidershipit, dhe për këtë po i vuajmë pasojat — pasoja që, për fat të keq, pritet të jenë edhe më të rënda.” ka deklaruar ai.

 

 

Lladrovci: Moskonstituimi i Kuvendit po i shkakton dëme të mëdha imazhit dhe diplomacisë së Kosovës

 

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, për FrontOnline ka ngritur shqetësimin për pasojat që po i shkaktohen Kosovës në rrafshin diplomatik dhe institucional për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve të reja paszgjedhore.

Lladrovci ka theksuar se vonesat aktuale nuk po dëmtojnë vetëm funksionimin e brendshëm të shtetit, por edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

“Krahas dëmeve të brendshme, dëmi i parë është imazhi i shtetit. Shteti duhet të merret seriozisht, nuk është punë qejfi krijimi apo funksionalizimi i institucioneve që dalin nga vota e popullit,” ka deklaruar ai për FrontOnline.

Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale po pengon edhe miratimin e ligjeve të rëndësishme, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare përmes të cilave Kosova mund të përfitojë ndihma dhe fonde nga Bashkimi Evropian.

“Kosova mund të përfitojë fonde qindra milionshe nga Bashkimi Evropian,” tha Lladrovci.

Ai paralajmëroi se kjo situatë po e dëmton qëndrueshmërinë e shtetit dhe po e kufizon praninë e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe rajonale.

“Prania e shtetit tonë në skenën ndërkombëtare, pjesëmarrja në skenën rajonale e globale dhe marrja e përkrahjes për shtetin tonë, qasja në fonde dhe iniciativa dobiprurëse për shtetin dhe qytetarët, janë të gjitha të rrezikuara,” përfundoi ai.

 

Hamiti: Pasojat janë evidente kur vendi nuk ka Qeveri funksionale

Ish-ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, për FrontOnline ka shprehur shqetësim të thellë për dëmet që po i shkaktohen Kosovës në arenën ndërkombëtare për shkak të ngërçit politik dhe moskonstituimit të Kuvendit. Sipas tij, pasojat janë të dukshme dhe prekin drejtpërdrejt interesat strategjike të vendit.

“Pasojat janë evidente kur vendi nuk ka Qeveri funksionale, sidomos kur Qeveria në detyrë nuk ka mbikëqyrje nga Kuvendi,” ka deklaruar Hamiti.

Ai ka rikujtuar se edhe në periudhën kur Kosova kishte institucione funksionale të drejtuara nga Vetëvendosje, vendi përjetoi përkeqësim të theksuar në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Para dy vitesh, për fajin e drejtuesve politikë të Kosovës, Kosovës iu vendosën sanksione të BE-së. Kemi humbur qindra milionë euro për projekte të BE-së deri tani. Pasojat po i vuajnë qytetarët, e jo Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti (tash deputeti Kurti), as zëvendëskryeministresha dhe ministresha e jashtme, tash deputetja Donika Gërvalla Schwarz,” u shpreh Hamiti.

Ai kritikoi ashpër retorikën dhe sjelljen e disa udhëheqësve politikë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke kujtuar se Donika Gërvalla e quajti BE-në “tigër prej letre” dhe Albin Kurti e cilësoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si “naiv”.

“Kjo e mbrama e quante BE-në “tigër prej letre”. Kurti e quante Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken “naiv”. Nën sanksione, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës është dëmtuar” theksoi ai për FrontOnline.

Hamiti gjithashtu vuri në dukje dështimet në procesin e integrimit ndërkombëtar, duke përmendur se Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës vitin e kaluar, dhe se edhe sivjet kjo çështje nuk pritet të hyjë as në rend të ditës.

Në fund, ai rikujtoi marrëveshjen e nënshkruar nga Kurti në Bruksel dhe Ohër me Serbinë, për të cilën tha se cenon sovranitetin e Kosovës dhe bie ndesh me Kushtetutën.

“Para dy vitesh, Kryeministri Albin Kurti ka pranuar në Bruksel dhe Ohër marrëveshje me Serbinë që parasheh ‘vetëmenaxhim të serbëve’ në Kosovë, praktikisht autonomi politiko-territoriale, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Më e keqja marrëveshje e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë,” përfundoi ai.

 

Avni Arifi: Kosova po dëmtohet rëndë në diplomaci për shkak të mungesës së institucioneve

Ish-diplomati Avni Arifi ka folur pas situatës së krijuar nga mosformimi i institucioneve të reja shtetërore, duke e konsideruar atë një rrezik serioz për pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe për aspiratat euroatlantike të vendit.

Dorën në zemër, ma mirë mos me pas hiç diplomaci se me pas diplomaci çfarë e kemi parë në 5 vitet e fundit,” ka deklaruar Arifi, duke kritikuar ashpër performancën e diplomacisë kosovare në vitet e fundit dhe pasivitetin e saj në skenën ndërkombëtare.

Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale thellon më tej dështimet në politikën e jashtme, në një kohë kur Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për suksese dhe përparim drejt integrimeve ndërkombëtare.

Përndryshe, dëmet janë shumë të mëdha sepse ne jemi ata që kemi nevojë për suksese në politikë të jashtme dhe integrime euroatlantike, e jo të tjerët,” ka theksuar Arifi për FrontOnline.

Ai ka paralajmëruar se dëmet që po shkaktohen në arenën ndërkombëtare janë të vështira për t’u rikuperuar, dhe se kjo vonesë institucionale mund t’i kushtojë Kosovës humbje të rëndësishme në afat të gjatë.

Dëmet janë vështirë dhe vonë të rikuperueshme,” ka përfunduar Arifi.

 

 

Arifi: Kosova pa zë në arenën ndërkombëtare për shkak të bllokadës institucionale

Njohësi i çështjeve diplomatike, Dritëro Arifi, për FrontOnline ka ngritur shqetësimin se moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e një qeverie legjitime po e lë Kosovën pa përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar interesat strategjike të vendit.

Mungesa e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë ka pasoja shumë dimensionale, duke filluar nga përfaqësimi ndërkombëtar i Kosovës. Kosova në një fare mënyre ka mbetur pa zërin e vet zyrtar në forumet ndërkombëtare,” ka deklaruar Arifi.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme nuk është në gjendje të funksionojë siç duhet për shkak të mungesës së një qeverie të re.“MPJ s’mund të jetë aktive në format se si do të ishte po të kishim qeveri legjitime. Kjo e kufizon jashtëzakonisht shumë edhe takimet bilaterale të nivelit të lartë për shkak të statusit të Qeverisë,” ka theksuar ai për FrontOnline.

Arifi ka paralajmëruar gjithashtu se vonesat në krijimin e institucioneve mund të rezultojnë në humbjen e mundësive kyçe për zhvillim ekonomik dhe integrim ndërkombëtar.“Sa më shumë vonohemi, mund të kemi dështime dhe mund ta humbim marrëveshjen e BE-së për planin e rritjes ekonomike,” ka shtuar ai.

Një tjetër pasojë serioze, sipas Arifit, është dëmtimi i legjitimitetit të politikës së jashtme dhe funksionimit të ambasadave të Kosovës.“Ajo që e dëmton më së shumti politikën e jashtme, e zbeh shumë legjitimitetin e ambasadave sepse ato nuk mund të marrin vendime dhe vendi pritës ka mungesë të konsoliduar. Për këtë, vendet nuk nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për shkak se nuk ka legjitimitet.” përfundoi ai.

 

Komento: