KQZ: U mor vendim për ndalimin e mjeteve ndaj partive që PZAP-i ka shqiptuar gjoba

15:54 | 21 Maj 2025
kqz:-u-mor-vendim-per-ndalimin-e-mjeteve-ndaj-partive-qe-pzap-i-ka-shqiptuar-gjoba

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se morën vendim për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Lëvizja Vetëvendosje ka gjobë të vlerë të 212,500  eurove, PDK ka 144,500 euro, LDK ka 136,600  euro dhe ka paguar 65,000 euro, AAK-Nisma ka 72,300 euro, si dhe Slobodu, Pravdu i Opstanak ka 3,500 euro gjobë.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Mjetet e ndaluara nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it dhe vendimi i KQZ-së do të zbatohet me tri ndalesa gjatë ndarjes së mjeteve, në tre tremujorët e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, u theksua se mbledhjen e 33-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi,  thuhet se u mor vendim për lirimin e 3,716 kutive të votimit, në të cilat ndodhet materiali zgjedhor nga procese të ndryshme zgjedhore që përfshijnë periudhën 2014 – 2021.

” Sipas vendimit të KQZ-së, materiali zgjedhor që ndodhet në këto kuti, të cilat janë objekt i hetimit nga institucionet e drejtësisë, do të vendoset në thasë të veçantë nga një komision i përkohshëm dhe sipas procedurës së caktuar. Zbatimi i këtij vendimi do të lirojë edhe hapësirën e depos së KQZ-së me qëllim të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen gjatë këtij viti. Sipas të dhënave, kutitë e votimit i përkasin proceseve të ndryshme zgjedhore, lokale dhe parlamentare, të zhvilluara gjatë viteve 2014 (380 kuti), 2017 (614 kuti), 2019 (761 kuti) dhe 2021 (1,961 kuti)”, thuhet në njoftim.

Komento: