Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u takua me Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.
Bashkë, ata diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit.
“Sonte, pata kënaqësinë ta takoj znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, gjatë vizitës së saj në Kosovë. Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit evropian. Znj. Kallas e njoftova se PDK ka dhënë dhe mbetet gjithmonë e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike, si dhe në mbrojtjen e interesit qytetar dhe shtetëror”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndër të tjera, i pari i LDK-së tha se Kallasit i kërkoi heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Në takim kërkova edhe angazhimin e saj për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si një shenjë konkrete për të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe për avancimin e marrëdhënieve Kosovë – BE. PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të znj. Kallas për vendin tonë”, përfundoi Krasniqi.