Kurti mori pjesë në konferencën IMPACT 2025, takoi personalitete të ndryshme

16:49 | 14 Maj 2025
kurti-mori-pjese-ne-konferencen-impact-2025,-takoi-personalitete-te-ndryshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Poznan të Polonisë, ku me ftesë të organizatorëve mori pjesë në konferencën IMPACT 2025, që këtë vit shënon edicionin e 10-të.

Dje në mbrëmje, ishte në darkën e shtruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski dhe drejtori i konferencës, Sławomir Sierakowski, ku pati rastin të bashkëbisedojë me ministrin polak Sirkoski, zj.Anne Applebaum, si dhe ish Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry.

Kurti gjithashtu takoi nobelisten polake Olga Tokarczych, me të cilën bisedoi për politikën, kulturën dhe letërsinë. Kryeministri e njoftoi znj. Tokarczych për përkthimin e shume veprave të saj në shqip.

Gjatë darkës, kryeministri bisedoi edhe me historianin Timothy Snyder, dhe me mendimtarin dhe ish të burgosurin politik polak Adam Michnik, të cilin e kishte takuar në Gazetën Wyborcza, në Varshavë në tetor 2024.

Gjatë qëndrimit në Poznan, kryeministri gjithashtu takoi ish-konsullin e nderit të Shqipërisë atje, historianin, etnologun dhe albanologun, Jaroslaw Rosochacki, që interesimin e tij për çështjen shqiptare dhe të Kosovës e filloi në vitet e 70-ta. Vizitën e parë në Kosovë z.Rosochacki e realizoi në vitin 1978, ndërkaq herën e fundit në Kosovë ishte në vitin 2022. Kryeministri e falënderoi për veprën dhe kontributin e tij kushtuar vendit tonë.

Komento: