Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim një grup studentësh vizitorë nga Universiteti Shtetëror i Floridës (Florida State University), të cilët i njoftoi me zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe demokratike në vendin tonë.
Kurti theksoi se Kosova është shembulli më i mirë se si përparimi ekonomik dhe zhvillimi demokratik mund të ecin paralelisht.
Ai theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe njëkohësisht ekonomia me rritjen më të shpejtë në këtë rajon. Duke theksuar se mosha mesatare e popullsisë është vetëm 34 vjeç, kryeministri Kurti vuri në pah politikat e qeverisë në mbështetje të të rinjve, thuhet në njoftim.
Kurti i falënderoi studentët për bashkëbisedimin dhe iu dëshiroi qëndrim të mbarë e të frytshëm në vendin tonë.