Kush janë kandidatë për kryetarë të Komunave? Disa nga ta konfirmojnë kandidaturën

14:17 | 11 Maj 2025
kush-jane-kandidate-per-kryetare-te-komunave?-disa-nga-ta-konfirmojne-kandidaturen

Me afrimin e zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, partitë politike në Kosovë kanë nisur përgatitjet e para për garën zgjedhore, duke filluar të propozojnë kandidatët e tyre për kryetarë komunash. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është ndër partitë e para që ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Deri më tani, LDK ka konfirmuar disa nga kandidaturat kryesore, përfshirë Lutfi Hazirin për komunën e Gjilanit, Perparim Ramën për Prishtinën, Gazmend Muhaxherin për Pejën dhe Imri Ahmetin për Lipjanin.

Për të koordinuar më mirë këto përgatitje, LDK ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me kandidatët potencialë dhe ata tashmë të zyrtarizuar për të diskutuar strategjinë dhe hapat e mëtejshëm drejt zgjedhjeve lokale. Derisa partitë tjera, akoma s’kanë vendosur për këtë, derisa nga AAK pritet që kryetarët aktual të komunave, të jenë sërish kandidatë për kryetar në zgjedhjet lokale të vjeshtës.

Pak, më ndryshe qëndron PDK, e cila deri më tani të paktën publikisht nuk e ka prezantuar ose nuk është prezantuar asnjë kandidat për kryetar të ndonjë komune ani pse udhëheq me qendrat kryesore në vend si në Prizren, Mitrovicë e Ferizaj.

 

Ekrem Kastrati nga NISMA lë të hapur mundësinë për rikandidim në Malishevë

Kryetari aktual i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, për FrontOnline ka deklaruar se ende nuk është marrë një vendim për kandidatin e Nismës Socialdemokrate në zgjedhjet lokale të ardhshme.

“Edhe më tutje nuk kemi pasur takim me strukturat e NISMA-s këtu në Malishevë dhe ende nuk e kemi caktuar kandidatin për kryetar komune’’, tha ai.

Ai tha se nuk ka pasur ende takim me strukturat lokale të partisë në Malishevë, por la të kuptohet se është i gatshëm të rikandidojë, nëse kjo kërkohet nga lideri i Nismës, Fatmir Limaj.

“Derisa nuk kemi takim, nuk po dua të them, por besoj se do të jem unë, por ta shohim. Nëse Limaj e kërkon këtë, patjetër që do i hyja garës për kryetar,” tha Kastrati për FrontOnline.

 

Ferit Idrizi ende pa vendim për rikandidim në Vushtrri: Nuk kam ndarë mendje akoma

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, për FrontOnline ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim për rikandidimin e tij në zgjedhjet lokale të ardhshme. Ai tha se aktualisht ndodhet jashtë vendit dhe se partia nuk ka marrë ende një vendim për kandidaturën në këtë komunë.

“Jam jashtë vendit. Akoma partia s’ka vendos. Nuk e di çka me të thënë, akoma nuk e kam ndarë mendjen,” tha Idrizi për FrontOnline.

Ai shtoi se vendimi i tij do të varet edhe nga ecuria e projekteve komunale, duke lënë të hapur mundësinë që deri në fund të muajit qershor të ketë një qëndrim më të qartë.

“Të shikojmë si po ec puna deri në fund të qershorit, sa po i kryjmë projektet,” përfundoi ai.

 

Ramiz Lladrovci sinjalizon mundësinë e kandidimit për një mandat të ri në Drenas

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, derisa ka folur për FrontOnline ka lënë të hapur mundësinë e rikandidimit për një mandat të ri në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Po, për pak muaj fillon prezantimi i kandidatëve për këshilltarë komunalë dhe për kryetarë komunash, sipas afateve ligjore”, deklaroi Lladrovci.

Ai konfirmoi se mbetet pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe pret vendimin e strukturave drejtuese të partisë për kandidaturën e tij.

“Jam anëtar i PDK-së dhe pres publikimin e vendimit të Kryesisë dhe Kryetarit të partisë për emërimet e kandidatëve për kryetar të komunave”, u shpreh ai për FrontOnline.

Lladrovci nënvizoi gjithashtu se ky proces do të bëhet në përputhje me rregullat e brendshme të partisë dhe në bazë të parimeve të performancës dhe kandidaturave me gjasa reale për fitore.

“Në pajtim me Statutin e partisë, parimin e performancës dhe qëndrueshmërinë e kandidaturave fituese”, shtoi ai.

 

Zenun Elezaj konfirmon rikandidimin edhe për një mandat të ri në Komunë e Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për FrontOnline ka konfirmuar se do të jetë sërish kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale të ardhshme.

Ai tha se ky vendim është marrë nga kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka vendosur që të gjithë kryetarët aktualë të komunave të rikandidojnë automatikisht.

“Është vendim i kryesisë së AAK-së, që gjithë kryetarët aktual të komunave me automatizëm janë edhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme dhe edhe unë e kam pranuar,” deklaroi Elezaj për FrontOnline.

Ai tha se ndjen besim për një tjetër fitore, duke shtuar se puna në komunë po vazhdon me intensitet.

“Ky është test i ri, dhe besoj se prap fitoj. Sa dalin edhe kandidaturat e tjera, me punu po punojmë shumë, le të shohim,” shtoi ai.

 

Sokol Bashota ende pa vendim për rikthim në garën për kryetar të Klinës

Ish-kryetari i Komunës së Klinës dhe aktualisht kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, Sokol Bashota, për FrontOnline  ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim për rikandidim në zgjedhjet lokale të ardhshme.

Ai tha se çështja do të diskutohet fillimisht me kryesinë lokale dhe atë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ende s’kemi vendos me kryesinë qendrore të PDK-së. Akoma s’e kam mendu nëse i hyjë garës, por me lënë vend të caktuar,” tha Bashota për FrontOnline

Ai theksoi se vendimi i tij do të merret vetëm pas konsultimeve të plota brenda parties.

“Le t’i konsumojmë diskutimet me degën dhe kryesinë qendrore, pastaj vendosi,” shtoi ai.

 

Bali Muharremaj i gatshëm për rikandidim në Suharekë, pret vendimin e partisë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, për FrontOnline ka bërë të ditur se është i gatshëm të rikandidojë për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të ardhshme, por vendimi përfundimtar do të merret nga strukturat e partisë.

“Për këtë vendos këshilli drejtues i partisë në Suharekë dhe në qendër. Le të kqyrim se çfarë mendimi japin ata,” tha Muharremaj për FrontOnline

Ai konfirmoi gatishmërinë e tij për t’u futur sërish në garë për udhëheqjen e komunës.

“Po, jam i gatshëm për t’u futur në garë,” shtoi ai.

 

Besim Ilazi nuk do të rikandidojë për Kaçanikun, PDK garon me Sabedin Vishin

Kryetari aktual i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, për FrontOnline ka bërë të ditur se nuk do të rikandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet komunale të vjeshtës.

Pas katër mandateve në krye të komunës, Ilazi ka konfirmuar tërheqjen e tij nga gara, duke njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të garojë me një emër të ri.

“Meqënse unë jam në mandatin e katërt, do të largohem dhe kandidat do të jetë zëvendësi im i cili është edhe nënkryetar i komunës, Sabedin Vishi”, deklaroi Ilazi për FrontOnline.

Bexhet Xheladini rikandidon për Dragashin nga radhët e LDK-së

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini,  për FrontOnline ka bërë të ditur se ka gjasa të mëdha që të rikandidojë për një mandat të ri në krye të kësaj komune në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Ai ka konfirmuar se është në koordinim me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për këtë qëllim.

“Sot e kemi pasur takimin me kryesinë qendrore, me kryetarët e degëve me qendër dhe unë besoj se do të jem kandidat për kryetar të Dragashit”, deklaroi Xheladini për FrontOnline.

Komento: