Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve që lidhen me lansimin e “Programit Master për Energjetikë”, duke mohuar çdo meritë të qeverisë apo të Ministrisë së Arsimit në këtë proces. Ajo thekson se programet e reja në Universitetin e Prishtinës hartohen dhe mbrohen ekskluzivisht nga stafi akademik, pa asnjë ndërhyrje apo kontribut nga niveli qeveritar.
“Lej more punët e të tjerëve, se as ti, as Nagavci, asnjë meritë aty nuk e keni. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse jam pjesë e stafit akademik në UP që nga viti 2004,” shkroi Bajrami në një postim në rrjete sociale.
Ajo e shfrytëzoi rastin për të drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për mosadresim të skandaleve në sektorin e energjisë – një fushë që sipas saj është kthyer në terren të korrupsionit dhe keqpërdorimeve gjatë qeverisjes aktuale.
“Pse s’po flet për skandalet në këtë sektor, Albin? Ti je përgjegjës për gjendjen dhe skandalet në sektorin e energjisë,” shtoi Bajrami, duke përmendur konkretisht ish-ministren e ekonomisë, si dhe emërimet në ZRRE dhe KOSTT, të cilët sipas saj kanë ndihmuar në lulëzimin e mafies energjetike.
“Jemi të varfër apo të vjedhur? Deklarohu, Albin!” përfundon reagimin e saj Bajrami.