Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, për FrontOnline ka deklaruar se nuk është ende i informuar zyrtarisht për ftesën e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për një takim konsultativ me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Nuk e di, nuk e pasna këtë informatë, por me siguri gjatë ditës na thërret për takim kryetari dhe e marrim një qëndrim prej kryesisë,” tha Muhaxheri për FrontOnline, duke lënë të kuptohet se LDK ende nuk ka zhvilluar diskutime të brendshme për këtë çështje.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një takim konsultativ për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Takimi është paraparë të mbahet më 15 maj 2025, në orën 13:00, në Zyrën e Presidentes.