Lekaj: Bllokada në Kuvend po i kushton rëndë vendit ekonomikisht

10:58 | 20 Maj 2025
lekaj:-bllokada-ne-kuvend-po-i-kushton-rende-vendit-ekonomikisht


Lekaj: Bllokada në Kuvend po i kushton rëndë vendit ekonomikisht

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka ngritur alarmin për pasojat  që po shkakton moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se bllokimi institucional po e dëmton seriozisht ekonominë e vendit. Në një prononcim për FrontOnline, Lekaj thotë se mungesa e funksionalitetit parlamentar ka krijuar vakuum vendimmarrës që po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.

“Kur Kuvendi nuk funksionon, bllokohet miratimi i ligjeve kyçe, nuk kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare financiare dhe krijohet pasiguri për investitorët”, deklaron Lekaj.

Ai thekson se shumë projekte zhvillimore në infrastrukturë, arsim dhe energji janë pezulluar për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshje me donatorët ndërkombëtarë. Sipas tij, kjo situatë po sjell humbje të fondeve dhe vonesa të konsiderueshme në zbatimin e projekteve strategjike.

‘’Shumë projekte zhvillimore, si ato në infrastrukturë, energji apo arsim, varen nga marrëveshje me donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi. Bllokimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton humbje të fondeve dhe vonesa të projekteve’’, tha Lekaj.

Lekaj  paralajmëron se në mungesë të debatit parlamentar, edhe procesi i miratimit të buxhetit mund të degradojë, duke ndikuar negativisht në eficiencën e shpenzimeve publike dhe në orientimin e prioriteteve zhvillimore.

‘’ Nëse Kuvendi nuk funksionon, miratimi i buxhetit mund të vonohet apo të ndodhë pa debat të mirëfilltë parlamentar, çka ndikon në eficiencën e shpenzimeve publike dhe prioritetet zhvillimore’’, përfundoi Lekaj.

Komento: