Liria e medias/ Gazetarët: Kosova në vendin e 99-të, dëshmi për rënien e demokracisë

19:01 | 02 Maj 2025
liria-e-medias/-gazetaret:-kosova-ne-vendin-e-99-te,-deshmi-per-renien-e-demokracise

Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit të publikuar sot nga Reporterët pa Kufij (RSF), duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete të botës.

Raporti thekson përkeqësimin e mjedisit medial për shkak të presionit politik, bojkoteve institucionale dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Ky vlerësim ka nxitur reagime të ashpra nga opozita dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilët e kanë cilësuar situatën si alarmante dhe pasojë të drejtpërdrejtë të sjelljes së pushtetit ndaj mediave.

Fajin për rënien në lirinë e medias për 24 vende më poshtë, sipas profesorëve të gazetarisë e ka presioni politik dhe ndërhyrja në media nga Lëvizja “Vetëvendosje”, të cilën e udhëheq kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

 

Alban Zeneli: Rënia e Kosovës në indeks është pasojë e presionit politik ndaj mediave

Njohësi i mediave dhe profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli është deklaruar për “Front Online”, pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova shënoi rënie në Indeksin e Lirisë së Shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të.

Ai e ka cilësuar këtë rënie si tregues të qartë të rënies së demokracisë në vend.

Sipas Zenelit, ndikimi më i madh negativ është vërejtur në indikatorin ekonomik dhe politik, për shkak të ndërhyrjeve në media dhe klimës jo të sigurt për gazetarët.

“Kjo rënie tregon për rënien e demokracisë në Kosovë. Ky është problem shumë i madh. Indikatori që është vlerësuar me rënie më të lartë është indikatori ekonomik e politik në ndikimit në media, legjislav, social dhe indikatorët e sigurisë këta na tregojnë që gjeneratori i gjuhës së urrejtjes që e bënë punë e gazetarit të pasigurt është politika se nga partitë politikë më saktësisht nga LVV kemi dëgjuar gjuhë të urrejtjes ndaj medias”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu kritikoi tentativën e Qeverisë për miratimin e ligjit për KPM, të cilin e quajti anti-kushtetues dhe kërcënim për lirinë e medias.

“Ka rënë indikatori legjislav i cili veprimi që ka shkaktuar është tendenca e Qeverisë që të kalojë një ligj për KPM që është dëshmuar që është anti-Kushtetues por ka rrezikuar lirinë e medias në Kosovë”, deklaroi Zeneli.

 

Halil Matoshi: Kosova bie për 25 vende në lirinë e shtypit – Albin Kurti po teston levat e diktaturës

Gazetari dhe analisti i njohur politik, Halil Matoshi, për ‘’Front Online’’ ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka shënuar rënie dramatike në indeksin global të lirisë së shtypit, duke rënë për 25 pozita.

“Në këtë periudhë, Albin Kurti po i teston levat e diktatit: a) uzurpimin e institucioneve pa legjitimim demokratik dhe rezistencën e partive tjera politike; b) shtrëngimin e mediave duke i cilësuar hibride dhe në krahë të Vuçiq-it… dhe c) po vlerëson se sa është numri i enveristave stalinistë që e mbështesin diktaturën dhe sa ka kundërshtarë eventualë”, deklaroni Matoshi.

Ai e përshkruan situatën si alarmante për lirinë e medias dhe për shoqërinë demokratike në tërësi, duke akuzuar qeverinë se ka krijuar një klimë mosbesimi ndaj gazetarëve.

“Derisa gazetarët janë rrethuar nga armiqtë e lirisë dhe Qeveria ka mbjellë refuzim për ta e mosbesim për mediat në publik, populli i Albin Kurtit akuzon e shënjestron secilin zë kritik, që nuk i nënshtrohet rreshtit të kalbur enverist”, shprehet ai.

 

Profesori i gazetarisë: Pushteti që lufton me mediat, frikësohet nga zëri i qytetarëve

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi, pas rënies së Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, ka deklaruar për “Front Online” se kjo situatë është si kërcënim serioz për demokracinë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Qerimi thotë se një pushtet që lufton me mediat po përpiqet të heshtë të vërtetën dhe zërin e qytetarëve.

“Kur Kosova renditet në mesin e vendeve që shtypin lirinë e medias, dëmtohet vetë themeli i shtetit dhe zbehet imazhi ynë në arenën ndërkombëtare. Një pushtet që lufton me mediat, në të vërtetë lufton me të vërtetën, frikësohet nga zëri i qytetarëve dhe cenon rëndë aspiratat tona për një shoqëri të lirë dhe të hapur”, tha ai.

Ai paralajmëroi se kjo qasje e pushtetit minon përpjekjet e Kosovës për integrim ndërkombëtar.

“Kjo qasje jo vetëm që minon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por e bën Kosovën më pak të besueshme si shtet modern. Gazetarët do ta fitojnë këtë betejë, siç e kanë bërë gjithmonë, duke i qëndruar afër qytetarëve dhe duke mbrojtur të drejtën për të ditur”, përfundoi Qerimi.

 

Komento: