Maloku: Vizita e Kaja Kallas në Kosovë me peshë të jashtëzakonshme gjeostrategjike e diplomatike

09:59 | 22 Maj 2025
maloku:-vizita-e-kaja-kallas-ne-kosove-me-peshe-te-jashtezakonshme-gjeostrategjike-e-diplomatike

Analisti politik dhe profesori universitar Fadil Maloku për FrontOnline ka vlerësuar se vizita e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në Kosovë, përveç rëndësisë simbolike, bart edhe peshë të jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe gjeostrategjike, sidomos në kontekstin aktual të zhvillimeve globale.

“Zbarkimi i ish-kryeministres së Estonisë, Kaia Kallas në Kosovë, përveç shumë benefiteve simbolike, ka edhe peshë e rëndësi të jashtëzakonshme; politike, diplomatike, po shlirë mund të themi edhe një peshë gjeostrategjike në këto kohëra drithërimesh e kërcënimeve rajonale, kontinentale e globale,” deklaroi Maloku.

Ai nënvizoi profilin e lartë të Kallas në diplomacinë evropiane, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

“Kjo zonjë që në qarqet diplomatike, njihet me portretin e figurës shumë të zëshme në BE lidhur me mbrojtjen e vlerave të demokracisë perëndimore; me qëndrimet tejet të prera ndaj kërcënimeve agresive të Rusisë; mbështetjen e fuqishme që ia adreson viktimizimit të Ukrainës; si edhe me prononcimet jo edhe aq eufemiste ndaj dialogut Serbi-Kosovë.” potencoi ai.

Sipas tij, vizita e Kallas mund të ketë dy qëllime kryesore.

 “a) Rikthimin dhe forcimin e partneritetit politik të Republikës së Kosovës, që ishte lënduar padrejtësisht me sanksione (!) nga byrokratët e mëhershëm të Brukselit… dhe b) Qartësimin e mesazhit lidhur me nisjen e një fillimi të ri homegjenizues që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt me ‘unitetin’ e luhatur evropian…” shtoi ai për FrontOnline.

Maloku gjithashtu i dha theks rëndësisë diplomatike të vizitës, duke e cilësuar si pjesë të një “Diplomacie të solidaritetit demokratik”. Ai theksoi se Kosovës i nevojitet “një diplomaci shumë më efektive, shumë më praktike e pragmatike, e jo sos e ‘turravrapit’ si ishte deri më tani.”

Ai paralajmëroi për kujdes në pritshmërinë që Kosova duhet të ketë nga kjo vizitë, për shkak të gjendjes së brendshme politike dhe dobësive në përfaqësim ndërkombëtar.

“Kujtoj që pritjet tona duhet të jenë modeste… por, edhe me rezerva. Them kështu, shkaku, se na mban shpresa për; një mbështetje më të theksuar ndërkombëtare; një nxitje për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; një shpresë me garancione për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e më pastaj edhe në NATO.” tha ai për FrontOnline

Komento: