Institucionet e Republikës së Kosovës kanë vazhduar me mbylljen e strukturave paralele serbe dhe rikthimin e hapësirave publike.
Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se sot në komunën e Mitrovicës së Veriut, një objekt që deri më tani ishte i uzurpuar nga strukturat paralele – konkretisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara – është rikthyer në pronësi të komunës. Po ashtu, një aksion i ngjashëm është zhvilluar pranë stacionit të pompave të ujit në fshatin Suhodoll të kësaj komune.
Sveçla tha se ky veprim është pjesë e një procesi të pandalshëm të shuarjes së çdo forme të paralelizmit institucional në vend.
“Hapësirat publike të uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve tona, të Republikës së Kosovës. Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut. Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më. Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë.”, ka shkruar ai.