Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike aktuale në vend, duke theksuar se partia e tij është gjithmonë e gatshme të ulet për të diskutuar për zgjidhje, por kurrë nuk do të hesht përballë paaftësisë dhe mungesës së vullnetit për veprim.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka deklaruar se “PDK nuk fshihet mbrapa asgjëje” dhe është e gatshme t’i thotë hapur qëndrimet dhe pozicionet e saj. Ai ka kritikuar ashpër koalicionin aktual qeveritar, duke theksuar se “skemat s’prodhojnë shumicë, vetëm të vërtetën” dhe se ky koalicion nuk ka numrat e nevojshëm për të realizuar qëllimet e tij.
Krasniqi gjithashtu ka hedhur dritë mbi “bllokuesit” dhe “taktizuesit” që, sipas tij, po kërkojnë të manipulojnë me fatin e qytetarëve të Kosovës. Ai ka bërë thirrje për respektimin e demokracisë dhe ka theksuar se PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbështetje të qytetarëve dhe të ardhmes së Kosovës.
“Mirë se vini në DEMOKRACI. PDK është dhe do të jetë gjithmonë këtu – duke respektuar besimin dhe mandatin e qytetarëve. Për Kosovën. Për të ardhmen!” – ka përfunduar ai mesazhin e tij.