Miftaraj: Kërkesa e AAK-së në Kushtetuese i shkon për shtati VV-së për blerje të kohës edhe për 60 ditë

19:29 | 09 Maj 2025
miftaraj:-kerkesa-e-aak-se-ne-kushtetuese-i-shkon-per-shtati-vv-se-per-blerje-te-kohes-edhe-per-60-dite


Ehat Miftaraj drejtor Ekzekutiv i KDI-së, për FrontOnline ka folur pas njoftimit se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së bashku me LDK-në, do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit.

Miftaraj ka kritikuar ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë nga ana e Vetëvendosjes, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm në një shoqëri demokratike.

Qartazi është e ditur se ndryshimi i votimit nga i hapur në të mbyllur është në kundërshtim me parimet dhe standardet e përcaktuara me rregullat dhe praktikat e mëhershme,” tha Miftaraj për FrontOnline, duke theksuar se ky hap bie ndesh me transparencën dhe llogaridhënien që kërkohen nga një proces parlamentar legjitim.

Sipas tij, nëse Kuvendi do të funksiononte mbi bazën e parimeve demokratike, një vendim i tillë nuk do të duhej të ndodhte.

Në një shoqëri demokratike, VV nuk do të duhej të ndryshonte këtë rregull,” shtoi ai.

Megjithatë, Miftaraj shpreh skepticizëm edhe për efektin real të veprimit të AAK-së dhe opozitës në këtë rast, duke e parë si një manovër që përfiton më shumë partia në pushtet.

Veprimi i AAK-së më së shumti i shkon për shtati VV-së, që të shtyjë sa më shumë që është e mundur, që do të nënkuptonte blerje kohe për 60 ditë për partinë në pushtet,” deklaroi ai për FrontOnline duke iu referuar afatit që ka Gjykata Kushtetuese për t’u deklaruar për çështje të tilla.

Komento: