Jeta e një fëmije pesëvjeçar është shpëtuar në Klinikën e Otorinolaringolosisë të QKUK-së, pasi kishte aspiruar një farë të paqëruar luledielli e cila ia kishte bllokuar rrugët kryesore të frymëmarrjes.
Falë reagimit të shpejtë të ekipit kujdestar të ORL-së, i udhëhequr nga dr.Flamur Ukaj, otorinolaringolog, dhe bashkëpunimit të menjëhershëm me ekipin kujdestar të Anesteziologjisë , nga dr.Valmir Idrizi, u realizua me sukses ndërhyrja urgjente (trakobronkoskopi rigjid), me ç’rast u largua trupi i huaj dhe u shpëtua jeta e fëmijës.
Në ekip morën pjesë edhe instrumentarja e sallës së ORL-së dhe specializantët nga ORL dhe Anrsteziologjia.
Përmes një postimi në Facebook, bëhet e ditur se fëmija është në gjendje stabile dhe është lëshuar në shtëpi pa komplikime.
“QKUK, apelon tek të gjithë prindërit që të kenë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve të vegjël, duke shmangur kontaktin me trupa të huaj si fara, kikirikë, pjesë të vogla lodrash etj., pasi mund të paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre”, thuhet tutje në postim, raporton Klankosova.tv.