Në 26 vjetorin e zhdu’kjes së Ukshin Hotit, Kurti akuza Prokurorisë Speciale të Kosovës

13:41 | 16 Maj 2025
ne-26-vjetorin-e-zhdu’kjes-se-ukshin-hotit,-kurti-akuza-prokurorise-speciale-te-kosoves

Në 26-vjetorin e zhdukjes së intelektualit dhe politikanit Ukshin Hoti, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka reaguar me një deklaratë të fuqishme, duke akuzuar institucionet e drejtësisë në Kosovë për neglizhencë të qëllimshme dhe heshtje të pajustifikueshme përballë një krimi të rëndë shtetëror të kryer nga autoritetet serbe gjatë luftës.

Kurti ka theksuar se, megjithëse ekzistojnë dokumente autentike dhe dëshmi të shumta rreth zhdukjes së Ukshin Hotit më 16 maj 1999 nga Burgu i Dubravës, Prokuroria Speciale dhe gjyqësori kosovar nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret në drejtim të hetimit apo ngritjes së një aktakuze – qoftë edhe në mungesë të të dyshuarve.

“Në dokumentin e lirimit të Ukshin Hotit, i nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, dëshmohet qartë se ai është liruar më 16 maj 1999. Por ajo ditë nuk ishte dita e daljes së tij në liri, por dita e zhdukjes së tij,” thuhet në deklaratën e Kurtit, ku përmendet edhe përfshirja e zyrtarëve të tjerë serbë si mbikëqyrësi Branko Komatina, pa ndonjë veprim hetimor ndaj tyre nga autoritetet kosovare.

Kryeministri në dorëheqje ka përmendur gjithashtu publikimet e vitit 2011 të autorit Ukë Thaçi në librin “Masakra në burgun e Dubravës”, si dhe dëshmitë e të burgosurve të asaj kohe, si prova që e bëjnë të pajustifikueshme mungesën e një hetimi të mirëfilltë.

Kurti ka kritikuar drejtpërdrejt organet e drejtësisë duke i konsideruar si të papërgjegjshme në raport me dhimbjen kolektive dhe me kërkesën për drejtësi.

“Mungesa e veprimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës mbetet një boshllëk i dhimbshëm në përpjekjen tonë kolektive për drejtësi dhe për të vërtetën. Institucionet tona të drejtësisë e kanë obligim moral dhe kushtetues që të veprojnë me përgjegjësi, për të mos lejuar që harresa ta zëvendësojë drejtësinë.”

Në fund të reagimit të tij, Kurti ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të rastit të Ukshin Hotit, duke e konsideruar këtë çështje si test për seriozitetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Republika e Kosovës kërkon drejtësi për Ukshin Hotin dhe për të gjithë të zhdukurit me dhunë. Historia jonë nuk mund të jetë e plotë pa të vërtetën dhe drejtësinë,” ka përfunduar Kurti.

Komento: