Janë publikuar detaje nga ngjarja tragjike e 9 majit, ku u gjet i vdekur dizenjatori i njohur Festim Isufi, në banesën e tij në Rrugën B, në Prishtinë. Përveç tij, e lënduar nga ngjarja ka mbetur edhe bashkëshortja e tij, Rina Maloku-Isufi.
Sipas burimeve të Insajderit, autoritetet kanë gjetur dy thika në vendin e ngjarjes. Njëra thikë është parë në duart e bashkëshortes së viktimës, Rina Maloku-Isufi, ndërsa thika tjetër është gjetur pranë këmbës së majtë të viktimës.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, Rina Maloku-Isufi është parë me një thikë në dorë edhe në momentin kur ka kërkuar ndihmë në një ordinancë afër banesës së tyre.
Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se viktima kishte 7 plagë në trup, të gjitha në zonën e qafës dhe fytit – pesë prej tyre janë vlerësuar si të lehta, ndërsa dy si plagë fatale që rezultuan me humbjen e jetës së tij.
Raporti i autopsisë tashmë i është dorëzuar Prokurorisë përkatëse.